Asambleja e Partisë Socialiste të Urës-Vajgurore ka propozuar 2 emra kandidatësh për bashkinë. Ata janë Fatli Afilaj, aktualisht kryetar i këshillit të qarkut Berat dhe Isuf Baze, inspektor në DAR Berat.
Kjo përzgjedhje ka qenë edhe molla e sherrit mes anëtarëve socialistë, gjatë mbledhjes së asamblesë të këtij qyteti.
Mbledhja e asamblesë e kryesuar nga Blendi Klosi, në ambjentet e kinemasë së qytetit të Urës-Vajgurore është shoqëruar me debate të ashpra mes anëtarëve të asamblesë, të cilët nuk kanë qenë dakort me kandidaturën e kryetares aktuale, Juljana Memaj, të përkrahur nga Klosi.
Përpara se të fillonte mbledhja u nxorrën jashtë nga salla të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste që nuk ishin në asamble, mes tyre edhe ish-kryetari i Partisë Socialiste në Poshnje, Ramadan Baho.
Pas përfundimit të mbledhjes në një nga lokalet e qytetit të Urës-Vajgurore,2 punonjës të bashkisë kanë kërcënuar dhe goditur Ramadan Bahon, duke e bërë atë përgjegjës për konfliktin në mbledhjen e asamblesë, shkruan JOQ Albania.
Pasi e kanë goditur, dy punonjësit e bashkisë së Urës-Vajgurore, Muharrem Selenica, me detyrë punonjës i shërbimit pyjor dhe Berti Memaj, shofer në bashki dhe njëkohëshisht xhaxhai i kryetares aktuale të bashkisë, janë larguar nga lokali.
Ramadan Baho pohoi se anëtarët e Partisë Socialistë në Urë-Vajgurore kanë një unitet mes tyre dhe të gjithë bashkë kanë kundërshtuar kandidaturën e Juljana Memaj, për një mandat të dytë në drejtimin e bashkisë së Urës-Vajgurore.