Gjatë mbrëmjes së djeshme në “Opinion”, pjesë ne diskutimeve ka qenë edhe çështja e arrestimeve të personave në kërkim. I pyetur nëse po dështon policia në arrestimin e personave në kërkim, zëvendës ministri i Brendshëm, Julian Hodaj është shprehur se nëse i referohet shifrave, policia ka bërë një punë të mirë.
Sipas Hodajt me krijimin e “FAST”, një strukturë e posaçme për arrestimin e personave të shpallur në kërkim, puna e policisë do të jetë më efektive.
Mirëpo në lidhje me këtë çështje gazetarja Klodiana Lala, u shpreh hapur duke thënë se elementët kriminalë rekrutojnë policë për të siguruar “mbrojtjen”. Ndërsa si shembull përmendi Admir Muratajn, i cili dyshohet edhe si truri i disa grabitjeve të bujshme.
“Admir Murataj rekrutonte punonjës policie. Përdorte dhe identitete të tjera. Këta njerëz që kishin ndikim në polici, vinin dhe bënin karshillëk në mes të kryeqytetit. Këta njerëz vijnë dhe bashkëjetojnë në zonat më të populluara të Tiranës”, tha gazetarja.
Ndërkohë Artan Hoxha tregoi mesazhin që mbërriti në telefonat e drejtuesve të policisë në kohën kur Saimir Tahiri ishte ministër i Brendshëm, dhe SHBA kërkonte me ngulm arrestimin e Klement Balilit.
“Balili, Balili, Balili Balili… Ky mesazhi mbërriti në telefonat e drejtuesve të policisë nga Saimir Tahiri, në atë kohë. Dua këtë se ma kërkon ambasadori. Ne nuk duam të kemi prioritet atë që na cakton ambasadori”, tha gazetari Hoxha