Është përcjellë për në banesën e fundit “Dëshmorja e Atdheut”, Zarife Hasanaj, nëntetarja e cila humbi jetën në një mision të NATO-s në Letoni. Trupi i nëntares Hasanaj do të pushojë në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa homazhet e kryen në Pallatin e Kongreseve ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit shqiptar si dhe anëtarë të FARSH-së.
Rama: Duhet të të përcillnim nuse me vello, sot prehesh dëshmore
Kryeministri shqiptar Edi Rama mbajti një fjalim emocional ndërsa u shpreh se ishte e vështirë të gjente fjalët për një vajzë e cila duhet të largohej nga prindërit e saj e veshur me fustanin e nusërisë në krah të dhëndrrit.
“Është e vështirë të gjej fjalët për ushtaraken, të ndjerën Zarife Hasanaj, këtu në sytë e prindërve të saj që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës, në krahë të dhëndrit po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krah të shokëve të saj të FARSH; në praninë e 2 motrave, vëllait të saj, pranë prindërve e rrethit familjar ndiejnë boshllëkun e pangushëllueshëm; në praninë e shokëve dhe shoqeve të saj lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar për të cilin FARSH është betuar të sakrifikojë edhe jetën në mbrojtje të atdheut dhe amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuq e zi ku është mbështjellë trupi i dëshmores më të re të Republikës“, u shpreh Rama.
Përlotet ministrja Olta Xhaçka
“E vështirë të të zëvendësojmë. U prehsh në paqe Zarife Hasanaj”. Kështu është shprehur ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë homazheve që u mbajtën në Pallatin e Kongreseve në nder të nëntetares që humbi jetën në një mision të NATO-s në Letoni.
Zarife Hasanaj u shpall “Dëshmore e Atdheut” dhe dita e sotme është shpallur ditë zie kombëtare në nder të anëtares së Forcave të Armatosura.
“Fjalët tona për ty e dashur Zarife nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë atë boshllëk që le”, tha ministrja teksa ju drejtua me fjalë të ndjera prindërve krenarë të ushtarakes, vëllait që ajo kishte pikë të dobët, Adriatiku, motrave, kolegëve e gjithsecilit që e njohu.
Nëntetarja Hasanaj nuk ishte thjesht një efektive e talentuar, ajo ishte një shembull për shumë vajza që duan t’i bashkohen FA. Ishte një nga më të mirat, më të aftat, kjo e bën edhe më të dhimbshme. Humbën një nga më të mirat që kishim edhe do ta kemi shumë të vështirë ta zëvendësojmë. U prehsh në paqe heroina jonë në altarin e dëshmorëve të atdheut nga ky frymëzohemi të mbajmë të shenjtë amanetin e dëshmorëve, Shqipërinë e lirë“, tha ministrja e Mbrojtjes.
Gjatë homazheve i ati dhe nëna e Zarife Hasanaj u përkulën para trupit të bijës së tyre, ndërsa shoqëroheshin nga familjarë dhe miq të dëshmores.
Zarife Hasanaj, 32 vjeç ishte fëmija e katërt e familjes Hasanaj, ndërsa ishte nisur për mision ushtarak në bazën e NATOS-s në Letoni që në dhjetorin e vitit të shkuar. Nëntetarja humbi jetën më 6 maj të këtij viti pas shpërthimit të një mine në Camp Adazi ne Letoni