Rama ka qëndruar për 45 minuta në takim me koordinatoren e qarkut të Dibrës, Olta Xhaçka pasi sipas informacioneve ka shumë pasiguri nga ana e kryeministrit për caktimin e Reme Lalës si kandidate ndërkohë që për këtë bashki përfliten edhe emra të tjerë.
Ndërkohë që një tjetër bashki që me sa duket ka hapur debate të shumta është edhe ajo e Durrësit ku Rama këmbëngul që të jetë një femër dhe emri më i përfolur është ai i Valbona Sakos i propozuar nga Vangjush Dako.
“Bulevard” shkruan se Dako dhe Rama i kanë treguar vendin politikisht njëri tjetrit, ndërsa gara ka qenë për emrin e një gruaje. Kur Rama kishte fiksuar emrin e një pedagoge dhe të deputetes Milva Ekonomi që mbeti në garë deri në fund, ka qenë Dako ai që ka hedhur në tavolinë një tjetër emër, atë të Valbona Sakos.
Ndërkohë në Vlorë ende nuk ka zyrtarizim përfundimtar, edhe pse kryebashkiaku aktual Dritan Leli mbetet kandidati më i mundshëm. Pusteci dhe Finiqi të cilat janë me popullsi minoritare mësohet se do t’i lihen aleatëve.
Ndërkohë në fund Rama ka takuar koordinatorin e qarkut të Gjirokastrës Bledi Çuçi ku eshte konsultuar në përzgjedhjen e emrave në bashkitë e këtij qarku.
Pas përfundimit të takimeve, kryetari i PS-dë nuk ka preferuar të jape ndonjë prononcim për gazetarët.
Megjithatë nesër pritet që të publikohet edhe lista e plotë e kandidatëve në të 61 bashkitë e vendit nga ana e Partisë Socialiste e paralajmëruar edhe nga kryetari i saj Edi Rama.
Ajo çfarë dihet tashmë është se në disa bashki janë bërë të ditur emrat e kandidatëve për disa bashki duke nisur nga rikonfirmimi i Erion Veliajt në Tiranë, Armando Subashit në Fier, Sotiraq Filos në Korçë, Pjerin Ndreut në Lezhë, Kukës Safet Gjici, në Elbasan Glendion Llatja, në Shkodër do kandidojë Valdrin Pjetri, ne Berat Ervin Demo, ndërsa në Gjirokaster perflitet se do kandidojë deputeti Flamur Golemi.
.
(F.GJ/FAXWEB.AL)