Kandidati i PS, ish-gardisti Agron Malaj, pjesë e grupit të zjarrit në 21 janar, ka reaguar për herë të parë pas akuzave që janë hedhur ndaj tij nga opozita dhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Malaj është i kandididuar nga kryeministri Rama për bashkinë e Matit.
Ndërkohë kryeopozitari gjatë një takimi me banorët e Matit, tha se Malaj duhet të ishte mbrapa hekurave pasi është përfshirë në dosjen ‘184’, për manipulim të votave në Bashkinë e Dibrës. Malaj është akuzuar gjithashtu edhe për ngjarjen e 21-janarit pasi ai ishte komando e një grupi të Gardës.
Sipas Malajt, akuzat e Bashës vijnë pasi ish-gardisti në 21 Janar, ka refuzuar urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit, prandaj edhe sulmohet sot.
”Prej kohësh unë, familja ime e Partia Socialiste jemi kryefjalë e sulmeve, shpifjeve e sajesave Tuaja.
Kam vendosur të të përgjigjem publikisht sepse këtë ma kërkojnë edhe matjanët e mi.
Më 21 janar 2011 unë nuk kam zbatuar urdhrat që vinin nga Ju dhe më lart për të qëlluar mbi qytetarët. Ju më akuzoni se guxova të mos respektoj urdhrat tuaj. Nuk ka mëkat të bësh detyrën e një komandant seksioni të njësisë speciale, por unë me atë detyrë nuk abuzova kurrë. Nuk qëllova kurrë mbi protestuesit, as unë dhe asnjë nga ata nën drejtimin tim. Ndaj ti më sulmon.
Kjo është e provuar ligjërisht nga drejtësia shqiptare, e cila brenda 48 orëve vendosi ndaj meje pushimin e çështjes sepse nuk kishte asnjë element të veprës penale”, shkruan mes të tjerash Malaj.
Reagimi i plotë:
Lulzim !
Prej kohësh unë, familja ime e Partia Socialiste jemi kryefjalë e sulmeve, shpifjeve e sajesave Tuaja.
Kam vendosur të të përgjigjem publikisht sepse këtë ma kërkojnë edhe matjanët e mi.
Me 21 janar 2011 unë nuk kam zbatuar urdhërat që vinin nga Ju dhe më lart për të qëlluar mbi qytetarët. Ju më akuzoni se guxova të mos respektoj urdhërat tuaj. Nuk ka mëkat të bësh detyrën e një komandant seksioni të njësisë speciale, por unë me atë detyrë nuk abuzova kurrë. Nuk qëllova kurrë mbi protestuesit, as unë dhe asnjë nga ata nën drejtimin tim. Ndaj ti më sulmon.
Kjo është e provuar ligjërisht nga drejtësia shqiptare, e cila brenda 48 orëve vendosi ndaj meje pushimin e cështjes sepse nuk kishte asnjë element të veprës penale.
Lulzim, njësoj si në 2011 kur nuk i kursyet shpifjet për të devijuar hetimet e 21 janarit nga përgjegjësit e vërtetë, një ndër të cilit jeni dhe Ju, njësoj shpifni edhe sot ndaj meje.
Ju ishit ministër i Brendshëm asokohe dhe i dini mjaft mirë fajtorët, i dini mjaft mirë kush i zbatoi urdhërat për të qëlluar mbi protestuesit.
Unë Lulzim, nuk kam abuzuar kurrë. Si atëherë në Gardën e Republikës, si në drejtorinë e OSHEE-së si drejtues i PS-së Mat dhe sot që kam privilegjin tu kërkoj besimin për tu shërbyer matjanëve.
Ju akuzoheni se keni vjedhur 230 milion euro në Rrugën e Kombit. Ndërsa unë çdo gjë e kam ngritur me mund e djersë, me punë të ndershme. Kam drejtuar për pesë vjet OSHEE Rajoni Burrel dhe kam faktuar se si punohet me korrektësi e ndershmëri. Unë nuk kam fjetur gjumë si Ju në Bashkinë e Tiranës. Kam elektrifikuar pas shumë dekadave rrethet Dibër, Mat, Bulqizë, Mirditë e Kurbin.
Për herë të parë pas drejtimit të partisë Tuaj matjanët nuk paguajnë para për vendet e punës, nuk ndëshkohen politikisht, nuk shfrytëzohen për tubime elektorale. Ata që ju yshti te flasin vazhdimisht ndaj personit tim e kanë parë lidhjen time të ngushtë me banorët e Matit.
Nuk jam akuzuar kurrë për trafiqe dhe vrasje.
Unë i jam ndodhur pranë çdo matjani, në gëzime e hidhërime dhe e kam bërë me zemër. Ju më sulmoni mua sepse matjanët ju braktisën dje. Qytetarët e Burrelit nuk iu përgjigjen thirrjes tuaj për protestë në sheshin “Demokracia”, ndaj sollët militantë nga Laçi, Mamurrasi, Thumana, Lezha, Miloti, Bulqizë, e Dibra dhe i mbyllet në një qoshe të Pallatit të Sportit.
Lulzim !
Kam një mesazh për Ju. Moralin, dinjitetin, integritetin tim nuk e përbaltni dot pavarësisht përpjekjeve Tuaja të dështuara njësoj si 8 vjet më parë.
(E.K/Faxweb.al)