Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku mbajti konferencë të përbashkët për shtyp
me Drejtorin e Përgjithshëm të Shell Upstream Albania, z. Rohan D’Souza lidhur me zbulimin e rëndësishëm të naftës në Bllokun 2 dhe 3 në zonën Shpirag të Qarkut Berat.
Sipas ministres Balluku ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare pasi është dhe zbulimi i parë i një vendburimi të ri të naftës në 30 vjetët e fundit në Shqipëri.
“Në këto zona tashmë nxirren 18 000 fuçi në dite nafte e papërpunuar, me zbulimin që kemi bërë do të nxirren shumë më shumë. Shteti përfiton rentë minerare, tatim mbi fitimin që në fuçinë e parë“, tha Balluku .
Sipas saj qeveria shqiptare do të lidhë marrëveshjen me SHELL për të filluar punën në Shpirag 3 pasi janë zbuluar puse nafte në Shpirag 4 (lexo këtu).
“Është një zbulim që sapo jemi përballur. Jemi në fazat e para. Është naftë e lehtë deri më tani kemi pasur naftë të rëndë. Furnizmi i rafinerive të naftës me naftë të lehtë është produkt i kërkuar“, tha Balluku.
Për këtë zbulim pak ditë më parë reagoi dhe Kryeministri Rama i cili e cilësoi një lajm të mirë për Shqipërinë. Sipas tij kjo kompani që ka hyrë në vend në vitin 2014 vijon ende kërkimet por dhe investimet gjithashtu për të siguruar dhe gjetur burime të tilla potenciale nafte (lexo ketu).