Pasi i bëri thirrje Këshillit Evropian të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë së Mirë, Johannes Hahn tha se edhe nëse merret një vendim i tillë kjo nuk do të thotë anëtarësim i menjëhershëm.
“Nisja e negociatave do të zgjasë për disa vite, anëtarësimi i Kroacisë zgjati 8 vjet dhe nuk është realiste të besosh se do të ketë përjashtime”, tha Hahn.
Sipas tij kjo është një garë dhe nuk është e thënë që të gjithë vendet të anëtarësohen bashkërisht, por njëri mund të futet para tjetrit.
Por Hahn theksoi se duhet njohur progresi i bërë deri më tani.
“Janë bërë disa arritje të rëndësishme, dhe hap pas hapi do të shikojmë vende të ndryshme arritjet e tyre dhe shembujt më pozitivë që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që e kanë përqafuar këtë erë ndryshimesh.
Të dyja këto shtete kanë treguar rezultate sidomos në ato fusha që kanë qenë pjesë e rekomandimeve të komisionit në 2018-ën. Shqipëria ka vazhduar një transformim të madh në sistemin e drejtësisë, duke pasur parasysh rivlerësimin e paprecedentë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të risjelljes së besimit në këtë fushë.
Ngritja e institucioneve ka vazhduar si dhe përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi pasur arritje. Edhe më shumë duhet bërë sepse nuk kemi arritur tek fundi i përpjekjeve të përbashkëta. Por duhet të pranojmë atë që është arritur deri më tani”, tha Hahn.
Ndërkohë që Federica Mogherini, e pyetur nëse do të ndikojë kriza politike në Shqipëri, për një shtyrje në shtator, të vendimit të Këshillit të Evropës, për çeljen e negociatave, tha jo, pasi sipas saj procesi është teknik.
“Vendimi i KE është i qartë, Shqipëria është gati për të nisur negociatat. Nëse i referohemi krizës politike, cili vend nuk ka kaluar krizë? Vlerësimi ynë nuk është politikë, por teknik. Shqipëria të bëjë pjesën e saj te vetingu dhe reformimi i gjyqësorit, dhe rekomandimi është i qartë për këshillin e BE që të hapë negociatat”, tha ajo.
(E.K/Faxweb.al)