Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja në një deklaratë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit ka deklaruar se prokuroria duhet të nisë urgjentisht hetimin për prokurorët dhe punonjësit e policisë që kanë bërë të mundur rrjedhjen e përgjimeve nga dosja 339, të cilat u bënë publike nga BILD sot.
“Duhet të merret seriozisht hetimi i prokurorëve dhe punonjësve të policisë të cilët dhe për përfitime personale kanë çuar informacione në zyrat e PD-së duke thyer sekretin hetimor. Kjo është vepër penale dhe është në detyrën e prokurorisë të hetojë jo vetëm personat e përfshirë në këtë dosje por dhe ata që kryen këtë vepër, sepse koha për tu ndarë me zyrtarë të tillë publik është sot. Ndaj kemi marrë reformë në sistemin e drejtësisë por jam i shqetësuar për përdorimin politik të një dosjeje kaq të rëndësishme dhe na kthen në kohërat e diktaturës të gjyqeve publike“.
Manja gjithashtu i ka konsideruar 6 përgjimet që dolën sot si jo domethënëse për krimin e pretenduar elektoral.
“Nuk di a ka mbetur pa dalë ndonjë material përgjimi nga 339 sepse publikut i serviren disa por asnjë nga materialet që ka dalë tani nuk kam dëgjuar të flitet as për vota as për lekë as për favore, por nëse ka dhe krim elektroral brenda prokuroria duhet ta çojë hetimin deri në fund dhe të vërë para përgjegjësisë penale këdo“.
Kreu i Komisionit të Ligjeve ka aluduar se ky investigim i BILD është publikuar vetëm në mediat pranë PD-së apo portale të tipit ‘fake news’, duke harruar që gazeta gjermane BILD është një nga mediat më serioze në Gjermani.
Sipas Manjës këto këto prova nuk e dëmtojnë imazhin e Shqipërisë pasi KE sapo dha rekomandimin për kushte të çeljes së negociatave me BE-në.
“Në qershor presim dritën jeshile për çeljen e bisedimeve“, tha i sigurt Ulsi Manja.