Nga Enton Abilekaj
Sot Edi Rama, ka dalë zbuluar, jo vetëm si blerës i zgjedhjeve, por edhe si fshehës i krimit. 30 qershori nuk mund të jetë me një datë qe ka lidhje me zgjedhjet, fjala zgjedhje pas kësaj, nuk është ankandi që pret ofertat e partive, por pazari banditëve me një pushtet që e ndan tepsinë me ta.
Është fushatë elektorale, 3 qershor 2019. Edi Rama ka një mesazh të koduar për “skifterët” e Laçit: “E keni Italinë si shtëpitë tuaj”. Një ftesë që të vazhdojnë aktivitetin në Itali, pa asnjë shqetësim nga qeveria e tij, mjafton që të mos marrin anën e opozitës në 30 qershor. Një ftesë aq kriminale sa nuk e beson që është duke u bërë live në televizion. Është Kryeministri që komunikon publikisht me botën e nëndheshme, një virtyt që e ka vetëm ai.
Dy vjet më parë ky komunikim ishte më i kamufluar. Sot në 5 qershor, Bild publikon për gjermanët, por edhe për shqiptarët, si u bë mrekullia e kapërcimit të 70 deputetëve nga PS, pasi nuk e arriti dot as në 2013-ën as në 2009 -ën, as në 2005-ën as në 2001 pa Dushkun. Një rezultat i arritur vetëm në 1997.
Është 2017, Durrës. Drejtuesit e shtabit elektoral të Rilindjes për Qarkun janë të shqetësuar. Duan një rezultat të thellë që t’i bëjnë përshtypje Kryeministrit. Marrin në telefon, Kryetarin e Bashksië së Durrësit, që është shefi i shtabit elektoral të Partisë Socialiste. Pastaj Kryetarin e Bashkisë së Shijakut, pastaj deputetin e Shijakut, Drejtorin e ujësjellësit, kryetarin e degës së PS. Një organizim gjigand, një punë e palodhur. Rezultati nuk mund të mos ishte 10 me 0.
Sikur Shtabi elektoral i Rilindjes të mos ishte banda më famëkeqe e Shijakut, sikur ata, të sapodalë nga burgu në Itali, të mos bënin pazare votash diku dhe kërcënime për pushim nga puna diku tjetër, sikur të mos urdhëronin drejtorin e ujësjellësit që të pushojë nga puna votuesit e opozitës nëse nuk ndryshojnë mendje, sikur të mos urdhëronin gjithë hierarkinë shtetërore lokale, duhet të ishim duke duartrokitur organizimin elektoral të partisë në pushtet.
Për fat të keq, nuk është ashtu siç besonim, nuk është ashtu siç akuzonte media dhe opozita, është akoma më e rëndë; këta njerëz nuk janë partnerët e PS për blerjen e votave dhe kërcënimin e atyre që nuk e shesin votën, këta janë shefat e Rilindjes, këta janë kupola e organizatës, të zgjedhurit me votë dhe të emëruarit nga qeveria janë vartësit e tyre. Këta u përcaktojnë axhendën, u anullojnë takimet me një telefonatë, këta ndihen më të detyruar se socialistët përpara Edi Ramës. Kushedi pse.
Kjo është një histori e vjetër. Kështu thotë Edi Rama dhe jo vetëm ai. Ka ndodhur më parë, shumë kohë më parë ka filluar. Kjo është lehtësisht e konstatueshme. Bandat lokale i kanë shërbyer rregullisht politikës, janë ndarë rregullisht nëpër parti, kanë ndërhyrë në zgjedhje me dhunë dhe me para. Ishin përfituesit nga zgjedhjet, para edhe pas tyre. Deri në 2013, kur socialistët u bënë rilindas dhe u hodh teza e bashkimit të të gjithëve, të ndershëm e të pandershëm, të ligjshëm e të paligjshëm, të pastër dhe të qelbur për të rrëzuar Berishën. Një tezë makiaveliste, “Qëllimi e justifikon mjetin”, që funksionoi. U mbyllën sytë se u mendua që lindi për atë qëllim dhe do të mbesë aty. Mjaftonte me aq, rreziku Berisha nuk ishte më, qëllimi nuk ishte më, mjeti duhet të përfundonte aty. Rilindja e uritur për hapjen e kutive dhe zgjedhje të lira, pësimin do ta kthente në mësim për demokracinë, jo për manipulimin.
Sot, përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që janë bërë me vendim të Gjykatës dhe si rrjedhim quhen prova, tregojne që pas 2013, bandat janë rreshtuar në një krah, banditët janë shndërruar në drejtues qarqesh, drejtojnë politikën dhe ekonominë, kanë kontakte direkte me figurat më të rëndisishme lokale apo qendrore dhe emërojnë kandidatë për deputetë e kryetarë bashkish.
Nuk është më vetëm një “Alo Niçe”, që shoqërohet me pandehma, por fakte që janë munduar të fshihen për 2 vjet tek dosja 339/1 dhe për 3 vjet tek dosja 184. Janë fakte të mbledhura, ndoshta edhe për arsye politike nga Prokuroria që drejtohej nga Adriatik Llalla, por mbeten fakte që kanë statusin e provës, përderisa kanë vendimin e Gjykatës. Fakte që janë mbuluar me urdhër politik, me zëvendësimin e Kryeprokurorit të Krimeve të rënda dhe prokurorëve të çështjes.
Sot Edi Rama, ka dalë zbuluar, jo vetëm si blerës i zgjedhjeve, por edhe si fshehës i krimit. 30 qershori nuk mund të jetë me një datë qe ka lidhje me zgjedhjet, fjala zgjedhje pas kësaj, nuk është ankandi që pret ofertat e partive, por pazari banditëve me një pushtet që e ndan tepsinë me ta. Një pushtet i kapur me presh në dorë që, në vend të dorëzimit pa kushte, ofron performancën e Ulsi Manjës, në vend të pranimit të fajit kërcënon Prokurorinë për nxjerrjen e sekretit hetimor, në vend të zgjidhjes në të mirë të vendit, ofron votime pa opozitën, në të mirë të pushtetit personal. Dosja.al