Pak orë përpara nisjes së protestës kombëtare të opozitës ka reaguar dhe ambasada gjermane në Tiranë. Ambasadorja Schütz deklaron se përdorimi i eksplozive apo sendeve të tjera shpërthyese është i papranueshëm.
Ambasada gjermane shprehet se është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë Tiranës.
Deklaratë e Ambasadores Gjermane Schütz:
Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore.
Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunshme që kanë ndodhur në protestat e mëparshme. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është krejtësisht i papranueshëm.
Është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësi për të vepruar me përmbajtje, edhe nëse provokohen.
Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.
Siç është bërë e zakonshme përpara protestave kombëtare të opozitës, edhe përgjatë ditës së sotme ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së kanë bërë thirrje për të shmangur elementet e dhunës.
Delegacioni i BE-së e vë theksin te e drejta e çdo qytetari për të protestuar, por pa shkaktuar dhunë dhe pa dëmtuar institucionet. Përfaqësuesit e BE bëjnë thirrje që palët të ulen urgjentisht në dialog.
Më herët një deklaratë të fortë për drejtuesit e opozitës bëri dhe zëvendësndihmës sekretarui amerikan i shtetit Palmer, i cili tha se në rast se do të ketë dhunë përgjegjësia do të bjerë direkt mbi Bashën dhe Kryemadhin. (lexo edhe ketu)
Kjo është protesta e tetë kombëtare e opozitës, që kërkon në mënyrë të palëkundur dorëheqjen e Edi Ramës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Protesta e sotme vjen katër ditë pas publikimit të audiopërgjimeve nga Bild, ku drejtuesit e PS-së në Shijak dhe Durrësit u evidentuan në komunikime të vazhdueshme me kreun e banës së Shijakut Astrit Avdylaj.
(E.K/Faxweb.al)