Ish-kreu i Aleancës Demokratike dhe një prej figurave kryesore të politikës post-komuniste ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme me mallkime ndaj atyre që votojnë në 30 Qershor. Ceka është shprehur se të gjithë ata që shkojnë drejt kutive të votimit do t’i zënë mallkimet e tij dhe Zoti do t’u ndëshkojë.
“Do të bëjmë shtet në këtë vend apo do të vazhdojmë kështu. Duhen ca burra dhe të themi nuk është Shqipëria që duam, nuk është ajo që duan katundarët e Rilindjes, sepse ato na kthejnë kooperativat bujqësorë.
Të mblidhemi dhe të themi shqiptarë: Ju vraftë zoti nëse shkoni e votoni më 30 qershor! Jeni të marrë dhe ju vraftë Zoti! Ai që jep votën iu qërrofshin sytë! I zëntë bukën e kalamajve”, u shpreh Ceka.
Këto mallkime sollën reagimin e drejtuesit të emisionit, Artur Zheji që t’i ndalonte ato. “Jo më edhe unë kam pasur kalamaj, dhe nuk e kam dhënë votën”, tha ai.
Kujtojmë se Ceka ka shërbyer edhe si këshilltar i ish-kryeministrit Berisha, dhe është një njohës shumë i mirë i çështjeve arkeologjike.