Banorë tëfshatit Trevllazër kanë dalë sot në protestë para bashkisë së Vlorës. Shkak për revoltën e qytetarëve është bërë mungesa e rrugës që lidh këtë fshat me qytetin e Vlorës, e cila është tejet e amortizuar.
Pavarësisht se iu është premtuar vazhdimisht ndërtimi i saj, banorët thonë se Dritan Leli nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë, duke i lënë ata në gjendje të mjerueshme.
Vetëm dy muaj më parë, teksa ka qenë në këtë fshat Leli iu ka thënë banorëve që do të ndërtonte rrugën, madje ishte shprehur se ishin lëvruar edhe fondet nga ana e Këshillit Bashkiak. Gjatësia e rrugës që kërkon ndërhyrje të menjëhershme është vetëm 5 kilometra.
Një tjetër problem i këtij komuniteti është dhe mungesa e ujit të pijshëm, dhe atij që vjen nga ujësjellësi. Banorët kanë bërë thirrje për Lelin, dhe kanë kërkuar që ta takojnë atë, por janë ndaluar nga ana e policisë bashkiake.
Një pjesë e banorëve janë futur në hollin e Bashkisë, po pa mundur që të takohen dot me kryetarin e Bashkisë.
‘’Duam rrugë, duam ujë. Kryetar dil nga zyra”, kanë qenë vetëm disa nga thirrjet e banorëve, të cilët shtojnë se mungesa e infrastrukturës ka bërë që nga kjo zonë të ketë lëvizje të shumta të të rinjve kryesisht.
Banorët janë shprehur se do të përshkallëzojnë protestat e tyre, dhe do të bllokojnë dhe kalimin në rrugë.