Një situatë e tensionuar është paraqitur mesditën e sotme në zonën e Lungomares në Vlorë, ku familja Mustafaraj është përballur me forcat e INUV dhe të Policisë. Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke që Bashkia e Vlorës kërkon t’ua marrë me dhunë pronarëve, të cilët thonë se pas kësaj fshihen interesat private të Dritan Lelit.
Kjo familje e ka të trashëguar prej disa brezash këtë pronë, dhe Bashkia e Vlorës nuk iu ka dhënë asnjë sqarim se çfarë ndodh me këtë truall, që sipas tyre do ti jepet palëve të treta, dhe përfitimi do të merret nga Leli dhe vëllai i tij.
Një pjesë e familjarëve janë vendosur përpara fadromave, dhe janë tërhequr me dhunë nga ana e punonjësve të policisë.
“Nuk do të lejojmë që të kalojnë mjetet e rënda, kemi kërkuar që të takojmë kryetarin e Bashkisë dhe nuk na ka pritur. I kemi dhënë shtetit tokën për ndërtimin e unazës dhe nuk na kanë kompesuar, tani duan që të na marrin dhe këtë pjesë që na ka mbetur”, shprehen familjarët.
‘’Troç muhabeti Dritan Leli së bashku me vëllanë e tij Leli, duan të vjedhin tokën time dhe duan ta bëjnë një parkim, pse mo ta bëja unë vetë këtë. Nuk ka asnjë lloj marrëveshje mes nesh dhe Bashkisë”, shprehet kryefamiljari.
Ata kanë thënë për Fax news se do të ndjekin betejën ligjore me Dritan Lelin, dhe pretendojnë se kanë biseda me të ku ai i ka kërcënuar. Ndërkohë që dy prej zonjave që ishin duke bërë rezistencë janë shoqëruar për në komisariatin e policisë.
(E.K/Faxweb.al)