Arben Çejku, drejtor i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqeoni, thotë në një intervistë për gazetën Mapo se ende nuk është shkuar në mesin e krizës së vërtetë. Sipas tij, kjo krizë do të agravohet akoma më shumë. Sipas tij, vendit i duhet një zgjidhje e shpejtë, paqësore dhe pa shumë kosto.
A ka arritur kriza kulmin e saj dhe tani do të kemi një zgjidhje, apo mund të shkojë më keq duke iu afruar 30 qershorit. Cilët janë skenarët që na presin në ditët në vijim?
– Nëse konsiderojmë si njësi matëse kohën, atëherë muajt qe kemi lënë pas janë më shumë se ata që kemi para deri në zgjidhjen e kësaj krize. Por, nëse konsiderojmë si njësi matjeje zgjidhjet që janë ofruar deri tani, mendoj se ende nuk kemi shkuar në mesin e krizës së vërtetë, e cila duket se do të agravohet më tepër. Të gjithë dëshirojmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për problematikat që i ngushtojnë lakun përditshmërisë së politikës, institucioneve dhe vetë popullit shqiptar. Për fat të keq, konceptet feudaliste që disa drejtues kanë mbi institucionet e shtetit, kanë goditur rëndë demokracinë institucionale dhe atë të përfaqësimit.
Për sa u përket skenarëve për ditët në vijim, unë parapëlqej të ndalem dhe potencoj nevojën e një skenari paqësor për daljen nga kriza nëpërmjet dialogut gjithëpërfshirës, duke vënë në qendër të tij interesat e qytetarit dhe të ardhmen e vendit. Sido që të ndodhë, ky do jetë skenari që kërkojnë sot shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë.
A mund të shpresojmë për një zgjidhje? Cila palë duhet të tërhiqet, të bëjë një hap pas?
Për të patur një zgjidhje, gjithmonë ka modele dhe, me rëndësi është t’u referohemi modeleve pozitive, kur palët në dialog, nuk vendosin kushte, por vendosin parime! Ne, natyrisht që duhet të shpresojmë se patjetër do të ketë një zgjidhje. Por, në këndvështrimin tim, kjo zgjidhje duhet të jetë sa më e shpejtë dhe me sa më pak kosto. E gjithë kjo periudhë, në tërësinë e saj, nuk ka ndihmuar aspak në promovimin e një imazhi pozitiv për vendin.
Deri më tani, për fat të keq duket se asnjëra palë nuk ka bërë një hap pas. Unë nuk mund të them se cila palë duhet të tërhiqet më shumë dhe cila më pak, por gjithsesi, hapin e parë duhet ta bëjë mazhoranca. Dekreti i Presidentit Meta dhe thirrjet e faktorit të jashtëm për të gjetur një zgjidhje, mund të shërbenin si pikënisje dhe inkurajim drejt pajtimit dhe shmangies së konfrontimit të mëtejshëm.
A besoni se ka një plan gjerman që t’i ulë palët në bisedime?
Nuk mund të spekuloj dhe të them se ka një plan gjerman për të ulur palët në dialog. Por mund të them me siguri se ka një shqetësim të madh të Gjermanisë për atë që po ndodh në Shqipëri. Çdo ditë që vonohemi në luftën tonë të brendshme dhe betejat politike, vende mike si Gjermania, do të zhgënjehen akoma më shumë dhe, sigurisht do na japin nota ngelëse në çështjet e integrimit.
Si e vlerësoni përplasjen mes Presidentit të Republikës dhe mazhorancës dhe a do të ketë zgjedhje në 30 qershor pas anulimit të tyre nga Meta?
Në kohën kur pritej një tejkalim i situatës, në zinxhirin e krizës u shtua edhe një hallkë. Stabiliteti i Shqipërisë tashmë luhatet brenda trekëndëshit të ri mazhorancë – opozitë – president. Përplasja më e fundit mes mazhorancës dhe Presidentit duket të jetë e lidhur me shumë faktorë, përtej atyre që deputetët dhe vetë Kryeministri paraqitën në rezolutë dhe debatin e tyre në Parlament. Vetë ankthi që ka zoti Rama, se mos në një nga këto ditë, Presidenti Meta thërret median për të nënshkruar para saj dekretin për shpërndarjen e Parlamentit, është një faktor politik dhe emocional që mban tensionin pezull.
Zgjedhje normale më 30 qershor nuk do të ketë. Nëse ato do të bëhen në një formë që nuk e kemi parë që prej viteve ‘90, pra, shkuarjen në votime të një partie të vetme, këto nuk besoj se quhen zgjedhje. Shkuarja i vetëm në zgjedhje duket se e ka shqetësuar dhe nervozuar vetë zotin Rama, i cili e di mjaft mirë që pas datës 30 qershor, ai do të drejtojë një makinë në mjegull. Ai e shprehu këtë pak a shumë edhe gjatë shpalosjes së enumeracionit të kritikave kundër opozitës e sidomos kundër ish-partnerit në qeveri, Ilir Meta.
Shqipëria nuk duket se do të marrë çeljen e negociatave në qershor. Sa do të ndikojë kjo në krizën politike dhe a tregon kjo se ndërkombëtarët janë duke ndërlidhur integrimin me situatën politike aktuale?
Në fakt, edhe pa këtë krizë që nisi në shkurt, Shqipëria pak ose aspak gjë kishte për t’i ofruar Brukselit në drejtim të kritereve të kërkuara. Kriza e tanishme duket se po shërben si justifikim për dështimet e kësaj qeverie, të cilës vitin e kaluar i dhanë një vit kohë shtesë për të bërë detyrat. Jo vetëm që nuk u bënë hapa para, por përkundrazi pati përkeqësime, qoftë në drejtim të luftës kundër korrupsionit, krimit, përmirësimit të lirisë së medias etj. Për më keq akoma, diplomacia kryeministrore, u përfshi në një mënyrë ose tjetër në promovimin e ideve dhe projekteve destabilizuese për rajonin, siç u duk nga qëndrimet e kundërta të ish-ministrit Bushati dhe shefit të tij, Rama. Ky ishte një vit në të cilin fjeti gjumë drejtësia shqiptare, qoftë në formë (mungesa funksionimi fizik si p.sh. Gjykata Kushtetuese), qoftë në përmbajtje (mungesë hetimesh dhe vendimesh për vepra të rënda kriminale dhe të tjera me ndikim në jetën publike).
Në mënyrë të tërthortë edhe prokuroria po ndërhyn në krizë, fillimisht kur u tha se prej saj kanë rrjedhur përgjimet te gazeta Bild dhe më pas duke marrë si të pandehur kreun e opozitës. A po tregon kjo se institucionet po bëhen palë dhe kriza, si në rastin e KQZ-së, tregon se nuk ekzistojnë pushtete të pavarura?
Kjo pyetje, mund të shërbejë edhe si përgjigje, mjafton t’i hiqet pikëpyetja ne fund.
(E.K/Faxweb,.al)