Ish-kryetarja e AMA-s Endira Bushati ka qenë e ftuar mëngjesin e sotëm në studion e Fax News, ku ka komentuar arrestimin e Suela Mustës, e dyshuar për akte korruptive në favor të fisit Çapja në Elbasan.
Bushati e konsideron të jashtëligjshëm arrestimin e anëtares së AMA, sa kohë që sipas saj vendime të natyrave të tilla janë kolegjiale, pra kërkojnë 5 vota të anëtarëve të Autoritetit të Mediave.
“Unë duke njohur procedurat administrative brenda AMA, nëse Suela ka marrë një vendim për një licensë, nuk e ka marrë vetëm ajo, por edhe katër pjestarë të tjerë. Duke qenë vetë kryetare e di që Kryetari është më i gjithëpushtetshëm, pasi edhe relacioni përgatitet nga administrata e tij dhe më pas çohet në mbledhje për diskutim.
Nëse ajo ka ndikuar të anëtarët e tjerë, atëherë duhej të merrej i njëjti vendim dhe për ta. Në rastet e shkeljeve janë inspektorët ata që vendosin gjobën, e vlerëson më pas bordi administrativ, dhe vetëm pasi jepet ok-i, është kryetari ai që e kalon në rend dite. Duhet të ishin marrë disa persona si të pandehur”, u shpreh Bushati.
Ish-kryetarja e AMA theksoi se sulmi ndaj Suela Mustës ka prapavijë politike, për shkak se ajo është një nga propozimet e opozitës për të qenë pjesë e këtij institucioni.
Po ashtu Bushati bëri përgjegjës drejtpërdrejtë për sulmin dhe kryetarin e AMA Gentian Sala, pasi Musta ka kërkuar më herët shkarkimin e tij, dhe ka qenë një nga kundërshtueset më të forta të ish-drejtorit të Digitalb. E pyetur nga gazetarja Armela Ferko nëse Musta rrezikon shkarkimin, Bushati u shpreh se jo, pasi deri në shpalljen e vendimit final nga Gjykata, asaj i prezumohet pafajësia.
“Unë e lidh këtë me faktin se është një nga anëtarët e mbështetur nga ana e opozitës, dhe si një person që ka mbajtur qëndrime të forta në drejtim të kryetarit të AMA, dhe ka kërkuar dhe shkarkimin e tij. Ajo ka dhënë votën e saj kundra në procesin e dixhitalizimit për Klan dhe Digitalb.
Si ka mundësi që të merret vetëm Suela Musta, me të ardhura të pakta, dhe me probleme shëndetësore, të cilat duhet të ishin reflektuar, askush nuk thotë nëse ajo është e fajshme apo e pafajshme, po duhet që të kishte hetuar mbi rrezikshmërinë e saj.
Unë kam 5 vite që e them se kapja e AMA nga një ish-drejtor i Digitalb është bërë për intersat e dy televizioneve kombëtare, këtë duhet të hetojë prokuroria, Suela është një prej 3 anëtarëve që kanë votuar kundër këtyre licensave.
Unë mendoj se Gjykata e Apelit, duke marrë parasysh dhe gjendjen e saj shëndetësore, do e lërë në gjendje të lirë. Kjo çështje nuk çon në shkarkimin e saj, pasi duhet një vendim i formës së prerë, dhe i prezumohet pafajësia, thjesht ajo nuk mund ta ushtrojë dot funksionin e saj.
AMA po punon vetëm në interest ë platforms Digitalb, siç e di i ngjithë publiku, edhe pse dixhitalizimi duhej që të kishte përfunduar që në 2015, AMA e ka shtyrë me disa herë këtë, dhe deklaron se mund ta mbyllë në shtator”, u shpreh më tej Bushati.
(E.K/Faxweb.al)