Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur ta shtyjnë për në shtator vendimin nëse do t’i hapin dritën e gjelbër fillimit të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Por, duket se ndezja e dritës do të jetë vetëm për Maqedoninë, ndërsa Shqipërisë do t’i duhet të presë ende për të hapur negociatat.
Ndërkohë, nga 15 qeveritë që janë të gatshme për hapjen e negociatave, vetëm Italia ka aktualisht prirjen për të trajtuar së bashku dy fqinjët ballkanikë, ndërkohë që të tjerët janë të gatshëm t’i trajtojnë më vete, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë mesazhit të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili, javën e kaluar, foli për një ‘ndarje’ të vendit të tij nga Shqipëria për sa iu përket negociatave.
Komisioni Evropian rekomandoi në maj hapjen e negociatave për të dyja vendet, por ndërkohë edhe në rast se ato hapen, procesi i anëtarësimit do të jetë disavjeçar dhe anëtarësimi sërish nuk do të ishte i sigurt.
Vendimi nuk do të merret në takimin e nesërm, për shkak se Gjermania nuk është e gatshme të vendosë pozicionin e saj, sepse ende i duhet të plotësojë procesin e brendshëm në parlament. Por, Gjermania dhe Holanda duket se e kanë përqafuar idenë e ndarjes së propozuar nga Pendarovski.
Të mërkurën e kaluar, parlamenti holandez miratoi një rezolutë tepër kritike kundër Shqipërisë, sidomos për shkak të korrupsionit e krimit të organizuar, ndërkohë që për Maqedoninë e Veriut nuk u ngrit asnjë shqetësim. Nisur nga kjo, një diplomat i BE kishte përshtypjen se Haga nuk do ta refuzonte hapjen e negociatave me Maqedononë e Veriut kur kjo çështje u diskutua nga ambasadorët e BE javën e kaluar.
Diskutimi i ambasadorëve ishte ‘i gjatë e i vështirë’, tha një tjetër diplomat, por për Shqipërinë qëndroi i pandryshuar refuzimi i qeverisë holandeze.
Johann Ëaderphul, deputet i CDU në Bundestag, citohet nga një gazetë maqedonase të ketë thënë se grupi i tij mund të miratojë hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut në fund të shtatorit.
Vetëm Franca po e shqyrton ende pozicionin e saj. Një diplomat francez tha se ende por ‘reflektojnë’ nëse duhet të ndjekin pozicionin holandez për Maqedoninë e Veriut. Për Shqipërinë, procesi i hapjes është ‘i parakohshëm’, shtoi burimi.
Një tjetër diplomat shpjegoi se Parisi dhe Komisioni ‘mbajnë çelsin’ për Maqedoninë e Veriut, teksa ata do të vendosin nëse do t’i ‘ndajnë’ dy vendet.
Një zyrtar evropian këmbënguli se Komisioni nuk do ta bëjë një propozim të tillë dhe se ‘topi është në fushën e Këshillit’.
Një një intervistë me EURACTIV javën e kaluar, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pranoi se ‘problemi më i madh’ ishte ndarja nga Shqipëria.
‘Shqipëria tani është në kaos. Opozita ka ikur nga institucionet dhe situata po tensionohet më tepër. Ndaj, çfarë mund të themi? Ne kemi pasur edhe më parë rekomandime pozitive nga Komisioni dhe jemi ndarë edhe më parë’, tha Pendarovski.