Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur presidentit Meta, për informacionin e kërkuar nga ai për numrin e deputetëve që janë pjesë e Kuvendit.
KQZ njofton se në Kuvend, në të 12 qarqet e Shqipërisë, janë 122 deputetë. Nuk dihet nëse pas kësaj presidenti Meta do të marrë një vendim ekstrem siç është ai i shpërndarjes së Kuvendit.
Paraditen e sotme PS zyrtarizoi kërkesën për shkarkimin e tij, ndërsa vetë kreu i shtetit pati një takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, të cilëve iu komunikoi se dekreti i tij për shtyrjen e zgjedhjeve është në përputhje me Kushtetutën.
Aktualisht, Parlamentit i mungojnë 18 deputetë si pasojë e shterimit të listave të opozitës për plotësimin e vendeve vakante.
Neni 64 i Kushtetutës sanksionon në pikën 1 të tij se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore”.
(E.K/Faxweb.al)