Institucioni i presidencës ka reaguar lidhur me përdhosjen që iu bë Flamurit Kombëtar në takimin elektoral që kryeministri Edi Rama zhvilloi dje në Shkodër.
”U bëjmë thirrje organizatorëve të këtyre takimeve të tregojnë më shumë respekt për Flamurin Kombëtar, simbolin përbashkues të shqiptarëve kudo në botë, si dhe të distancohen publikisht nga këto akte të papranueshme dhe provokuese për çdo shqiptar!”, thuhet mes të tjerave në reagimin e presidencës.
Kujtojmë se takimi i djeshëm i Ramës u zhvillua mes tensioneve të shumta, pasi një pjesë e mirë e qytetarëve shkodranë kishin dalë në rrugë kundër takimit të kryeministrit.
REAGIMI I ZËDHËNËSIT TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, Z.TEDI BLUSHI 21 qershor 2019
Shprehim keqardhjen e thellë për aktet e papranueshme që kanë ndodhur dje me Flamurin Kombëtar, të përdhosur në mënyrë të turpshme në rrugët e Shkodrës në përfundim të një takimi në këtë qytet, dhe që janë bërë sot publike nga mediat e pavarura.
Flamuri Kombëtar u takon të gjithë shqiptarëve dhe kushdo që merr përsipër ta përdorë duhet ta respektojë atë me një ndjenjë të lartë atdhedashurie, përgjegjshmërie dhe me dinjitetin e duhur siç e meriton, jo vetëm gjatë një takimi, por në çdo moment.
U bëjmë thirrje organizatorëve të këtyre takimeve të tregojnë më shumë respekt për Flamurin Kombëtar, simbolin përbashkues të shqiptarëve kudo në botë, si dhe të distancohen publikisht nga këto akte të papranueshme dhe provokuese për çdo shqiptar!
U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike pa dallim, që kur përdorin Flamurin Kombëtar të tregojnë respekt dhe nderim jo vetëm para mediave, por kurdoherë!
(E.K/Faxweb.al)