‘Zgjidhja e krizës politike nuk mund të kalojë nëpërmjet një pazari mes palesh. Nuk mund të ketë zgjidhje të krize pa drejtësi dhe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin që kanë vjedhur zgjedhjet’.
Kështu është shprehur lideri i opozitës Lulzim Basha në një intervistë për Radion Europa e Lirë.
Duke folur për ftesat për dialog, Basha thotë se këto janë sa për sy e faqe.
Ftesat për dialog që bëhen sa për sy e faqe dhe për propagandë janë përpjekje për t’i hedhur hi syve njerëzve. Shkaktari kryesor i krizës aktuale është Edi Rama, i cili, për pushtetin e tij ka lidhur pakt me krimin, siç faktohet edhe nga dosjet 339, 184’.
‘Përgjimet e Bild faktuan skemën për mbajtjen e pushtetit në mënyrë ilegjitme: Zgjedhjet janë vjedhur në të gjithë territorin, me të gjitha metodat, me përfshirjen e gjithë kupolës shtetërore, me mobilizimin e të gjithë kriminelëve të Shqipërisë,
Radiografia që Bild-i i bëri procesit zgjedhor në Shqipëri tregoi nuk kemi të bëjmë më thjesht me një shtet të kapur nga krimi, por me një shtet të shkrirë në një me krimin e organizuar. Ndaj, asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave, kriminelë apo politikanë.
Shqipërisë i refuzohet prej 3 vjetësh hapja e negociatave, sepse nuk përmbush detyrat në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara, por ka bërë hapa pas’, u shpreh lideri i PD-së dhe opozitës Lulzim Basha.