Pavarësisht se kryeministri Rama nuk e pranoi ftesën e tij për t’u takuar, presidenti Ilir Meta është shfaqur mëngjesin e sotëm në Presidencë, me shpresën se numri 1 i qeverisë mund të ndërronte mendje.
Pas pak minutash kreu i qeverisë do të presë në zyrën e tij kreun e opozitës Lulzim Basha, me të cilin do të flasë lidhur me krizën që po kalon vendi, dhe me zgjedhjet e së dielës.
Rama nuk shkoi në takimin e thërritur nga Meta, me pretendimin se ishte i zënë me fushatën elektorale për zgjedhjet e së dielës.
“Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial,ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh,kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim.Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim: Kemi zgjedhje, jam i zënë!”, shkruante dje Rama.
Njoftimi i shpërndarë dje nga presidenca:
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend.
Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00.
Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë.
(E.K/Faxweb.al)