Presidenti Ilir Meta ka nënshkruar sot dekretin për zgjedhjet e reja lokale, që sipas tij do të jenë në 13 Tetor.
“Dua tiu njoh me dekretin për datën e re të zgjedhjeve që është 13 Tetori”, u shpreh Meta.
Kreu i Shtetit tha se vendimi i tij synon që Shqipëria më në fund të marrë ok-in për çeljen e negociatave me BE-në dhe të mos shkëputet në këtë proces nga Maqedonia.
‘’Partitë duhet të heqin dorë nga axhendat personale, dhe duhet të punojnë për Integrimin e vendit. Kjo datë garanton që të ketë zgjedhje gjithëpërfshirëse”, tha Meta në fjalën e tij.
I pyetur nga gazetarët nëse ka marrë ‘’ok-in” e Bashës se do të bëhet pjesë e zgjedhjeve në 13 Tetor, Meta tha se ai nuk detyron askënd që të marrë pjesë në zgjedhje.
“Duhet t’ju siguroj se nuk mund të detyroj askënd të marrë pjesë në mënyrë të pavullnetshme në zgjedhje, askënd. Detyra ime si president i republikës dhe si i vetmi institucion në kushtetutën e vendit është të jap mundësinë të gjithëve të reflektojnë, të bëhen pjesë e procesit, të heqin dorë nga axhendat e ngushta maksimaliste dhe duke qenë se është objektiv kombëtar i gjithë forcave politike anëtarësimi në BE të sillemi në mënyrë evropiane, në këto orë, ditë dhe pak muaj që kanë mbetur”- tha Meta, duke shtuar se ajo që është e sigurt, në bashkitë e vendit nuk do të ketë vetëm një kandidat.
“Axhenda ime nuk është ‘’Rama ik!”, por axhenda ime është ‘’Edi reflekto”!”, tha Meta mes të tjerave në fjalën e tij, duke bërë batuta dhe me Sali Berishën, për të cilin tha se kishte dobësi të veçantë.
Meta ka folur dhe për sulmet e Ramës në drejtim të Kryemadhit, duke thënë se ai ka ditur që të ndajë gjithnjë punët e familjes nga ato të Republikës.
“Synoja të dekurajoja përshkallëzimin e tensionit, kam që në 10 qershor që kam pritur në radhë të parë kryeministrin për të diskutuar për këtë mundësi që duhet t’i jepnim partive të opozitë pjesëmarrjen në zgjedhjet gjithëpërfshirëse.
Unë nuk jam këtu për të plotësuar tekat e opozitës, po jam këtu për të bërë maksimumi që të evitojmë një konflikt nga të gjitha anët. Dje në mbrëmje u detyrova që t’i kërkoja zyrtarisht dhe formalisht Ramës dhe Bashës një takim. Deri më tani për të marrë vendimin e një date të re ka qenë mungesa e reagimit nga ana e Ramës.
Përgjigjja e tij ka qenë se ishte shumë i zënë me fushatë, por unë isha i gatshëm në çdo kohë për të diskutuar se për mua ka qenë më e rëndësishme paqja e vendit, imazhi i Shqipërisë, e ardhmja e vendit. Më vjen keq për reagimin e tij, por nuk do të humbasë asnjëherë qetësinë.
Nuk e kam për turp që jam burri i Monikës dhe Monikën e kam gjetur në partinë që drejton sot Rama, ai e di më mirë se kushto që di të ndajë anën personale, shoqërore dhe familjare me anën shtetërore dhe institucionale, për mua është tjetër gjë Monika dhe tjetër gjë Republika”, tha Meta.