Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një deklaratë të bërë për mediat, kërkoi shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila nga detyra e tij. Kjo nismë bëhet sipas tij pas ngjarjes së ndodhur mbrëmë në KZAZ 6 në Bushat, që u dogj bashkë me materialet zgjedhore dhe një pjesë e godinës.
Ndërkohë që procedura që ndiqet është se kur gjenden në raste shkeljesh të rënda, kryetarët e bashkive mund të shkarkohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Lleshaj shtoi se të njëjtin fat do të kenë të gjithë kryebashkiakët e djathtë që kërkojnë pengimin e zgjedhjeve lokale.
Në një lidhje telefonike për Fax News, Hila tha se ministri Lleshaj është informuar gabim, dhe se ai nuk ka qenë pjesë e protestës së organizuar nga drejtuesit lokal të PD-së.
“Unë nuk kam qenë as në protest, dhe as pranë vendit ku u zhvillu tubimi. Unë nuk jam në dijeni të nismës së ministrit për shkarkim, po ministri nuk është në dijeni nëse kam qenë apo jo unë. Kjo ka qenë një nismë e degës së PD-së, nuk ka pasur lidhje kreu i Bashkisë, ministrin e kanë disinformuar. Vëllai im ka qenë në protestë si mbështetës i PD, nuk jam në dijeni të arrestimit të tij”, u shpreh Hila për Fax News.
Ka pak raste në historinë e Shqipërisë, ku qeveria të vendosë për shkarkimin e të zgjedhurve nga populli, dhe duket se kjo do të shtojë edhe më shumë tensionet mes dy kampeve politike.
“Ndërrimi i qimes nuk ndërron zakonin, që del bashkë me shpirtin. Zjarri i djeshëm, djegia e materialeve zgjedhore dhe plagosja e 3 efektivëve, është militarizmi i një partie që ka humbur edhe kauzën e saj. E neveristsme akuza e opozitës për të larë duart nga akti kriminal i militantëve të tyre. Në mënyrë qesharake ata akuzuan policinë se paska sulmuar dhe plagosur veten, me urdhër të minisitrit të Brendshëm.
Përpjekja e Opozitës për të larët duart, tregon qartë se në çfarë katandisje të ultë morale janë sot drejtuesit e revolucionit imagjinar. Incidenti i mbrëmshëm nuk do të cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Ato do ët mbahen në të gjithë vendin. Për arsye të një serie të shkeljeve të rënda, të detyrës dhe ligjit, kryetari i saj do të shkarkohet sot nga detyra me propozim të ministrit të Brendshëm”, tha Lleshaj.
(E.K/Faxweb.al)