Kur na ndajnë vetëm dy ditë nga e diela, ku pritet që shqiptarët të votojnë për 61 Kryetarët e Bashkive në të gjithë vendin, zhvillimet e fundit politike kanë ngritur jo pak debate dhe diskutime në radhët e qytetarëve, bashkë me skepticizmin dhe pikëpyetjet e shumta në lidhje me 30 qershorin e vendosur si datë zgjedhjesh. Ndonëse, Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi dje 13 tetorin si datën tjetër të zgjedhjeve lokale, sërisht pritet që të dielën shqiptarët t’i drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive në të gjitha qarqet e vendit.
Në mesin e personazheve të njohur VIP që kanë reaguar në lidhje me situatën politike të momentit së fundmi është edhe Valbona Selimllari. Duke marrë indicie nga një deklaratë e papritur e Neritan Cekës në një studio debatesh televizive ku ai mallkonte shqiptarët nëse do të shkonin për të votuar në 30 qershor, Valbona vendosi që publikisht të japë arsyet e saj bindëse se pse e drejta e votës është diçka legjitime, dhe kurrësesi imponimi apo mallkimi i njerëzve që e bëjnë këtë gjë apo që mendojnë ndryshe nuk mund të jetë i pranueshëm.
Ajo shkruan: “Është demokratike të mos votosh. Por, jo demokratike të ndalosh ata që duan të votojnë. Unë mendoj se lirinë për të shprehur bindjen tonë nuk mund të na e cënoje askush. Respektoj gjithmonë mendimin ndryshe, por nuk respektoj kurrësesi imponimin dhe mallkimin e atyre që mendojnë ndryshe nga unë. Prandaj, duke respektuar të drejtën time, sigurisht që do të shkoj të votoj”.
Ju si mendoni? E mbështesni postimin e Valbonës?