Ndërkohë që ishte paralajmëruar se seanca e radhës parlamentare do të niste në orën 18;00 të ditës së hënë, sot kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka zhvendosur me një orë orarin e nisjes së punimeve.
Kështu, seanca do të nisë në orën 17:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 20:00 pikërisht një orë më herët se të nisë protesta e opozitës.
Kjo lëvizje me shumë gjasë vjen edhe për faktin se ashtu siç jemi mësuar të shikojmë edhe në protestat e kaluara kur turmat janë zhvendosur para selisë së Kuvendit, është ndërmarrë për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme.
Në urdhrin e parë të firmosur nga Gramoz Ruçi më datën 3 korrik, thuhet se: “Seanca do të zhvillohej në orën 18:00 dhe debati do të zgjaste 2 orë e 10 minuta”.
“Bazuar në Urdhrin e Kryetarit të Kuvendit nr. 24, datë 4.7.2019 Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare datë 8 korrik 2019, ora 17:00 me këtë rend dite: Shqyrtimi i raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe propozimit të Komisionit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës z. Ilir Meta” shkruhet në urdhërn e sotëm të Ruçit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)