Greqia pret sot betimin e kryeministrit të ri Kyriakos Mitsotakis, i cili doli fitues në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën të dielën.
Partia e Mitsotakis, ‘Demokracia e Re’ kryesoi duke fituar 158 vende në Parlament, duke lënë kështu pas partinë ‘Syriza’ të Tsipras, e cila fitoi vetëm 86 vende.
Nga zgjedhjet, arriti të siguronte 22 vende në parlament partia ‘Kinal ish Pasoku’ me të cilën kanë kandiduar edhe dy shqiptarë, 15 vende në Parlament ka arritur t’i sigurojë Partia Komuniste, 9 vende ‘Mera 25’.
Mirëpo, qeverisja e Greqisë nga një kryeministër i ri nuk ishte e vetmja risi në këto zgjedhje, pasi të pafatë kanë qëlluar partia ekstremiste greke ‘Agimi i Artë’ të cilët janë braktisur nga elektorati duke mos arritur dot të siguronin vende në Parlament.
Ndërkohë, Partia Grekët e Pavarur, e cila ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Tsipras nuk ka hyrë në zgjedhje pasi u shpërbë, për shkak se u braktis nga deputetët e saj.
Këtë të mërkurë pritet të formohet qeveria e re greke. Burime shprehen se për formimin e qeverisë së re edhe Mitsotakis, ashtu sikurse edhe qeverisë së vjetër do t’i duhet të kërkojë partner koalicioni.
Kujtojmë se pas përfundimit të zgjedhjeve Tsipras e ka njohur rezultatin si dhe ka uruar kryeministrin e ri për fitoren duke shprehur kështu respekt, sikurse ka thënë ai, për vendimin e popullit. Ndërsa nga ana tjetër Mitsotakis ka premtuar se do të jetë kryeministri i të gjithëve e do të punoj për të respektuar çdo grek.