Teksa sot opozita mban protestën e saj të dhjetë kombëtare, Policia i ka dhënë leje asaj vetëm 2 orë për të qendruar në rrugët e Tiranës.
Mësohet se opozita ka kërkuar leje deri në mesnatë, po kjo është refuzuar nga ana e Policisë së Shtetit, që ka lënë afat për mbylljen e protestës orën 22:00.
Burime bëjnë me dije se protesta e opozitës do të jetë në formën e marshimit, në mënyrë që të shmangen provokimet e dhunshme në ambientet përpara kryeministrisë.
Partia Demokratike ka theksuar se protesta do të jetë paqësore, mbështetur dhe nga LSI dhe psartitë e tjera të opozitës, ndërsa qytetarët janë ftuar të jenë të pranishëm së bashku me fëmijët e tyre të mitur.
Nga ana tjetër, rreth orës 17:00 të pasdites së sotme në seancën e KIuvendit pritet që të miratohet ngritja e një Komisioni Hetimor për presidentin Meta.
130 minuta kohë do të jenë në dispozicion të deputetëve të shumicës dhe pakicës parlamentare për të diskutuar në fillim mbi raportin e hartuar nga Komisioni i Ligjeve, që miratohet me shumicë të thjeshtë.
Argumentin ligjor për shkarkimin e Presidentit socialistët e mbështesin në anulimin e dekretit që Meta i bëri zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Për socialistët, kreu i shtetit është sjellë arbitrarisht me pushtetin pasi ka cënuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve duke nxjerrë një akt në kundërshtim flagrant me ligjet dhe kushtetutën.
Në raportin e Komisionit të Ligjeve maxhoranca thotë se në të paktën 9 raste Presidenti ka shkelur ligjin themeltar të shtetit dhe parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit.
Komisioni Hetimor do ketë në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re dhe do të kryesohet nga Ulsi Manja. Por pavarësisht procedurave ligjore të nisura nga socialistëve fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese, organ që vendos nëse Presidenti ka shkelur apo jo ligjin themeltar të shtetit.
(E.K/Faxweb.al)