Prokurori Behar Dibra nuk është paraqitur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të zhvilluar intervistën në kuadër të krijimit të SPAK.
Dibra ka dërguar pranë KLP-së edhe një letër me arsyet e mos paraqitjes, që sipas tij është i angazhuar me një proces gjyqësor.
Ai ka kërkuar nga KLP që t’i caktohet një datë tjetër për të dhënë intervistën për vlerësimin e tij për Strukturën e Posaçme Antikorruosion. Në orën 10.00 pranë KLP-së pritet të paraqitet prokurori Besim Hajdarmataj.
Katër kandidatët e parë për SPAK-un që u morën dje në pyetje ishin Altin Dumani; Anita Jella; Anton Martini dhe Arben Kraja.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi tha për gazetarët në fund të procesit dje, se të gjitha intervistat janë regjistruar me audio dhe me video, por nuk do të bëhen publike. Sipas tij, regjistrimet e intervistave janë pjesë e procesit administrativ që do të përdoren në rastet kur kandidatët apelojnë vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ibrahimi shpjegoi se zhvillimi i intervistave me dyer të mbyllura ishte një mundësi e mirë për kandidatët për SPAK që të japim maksimumin dhe të mos ndikohen nga emocionet e zhvillimit të intervistës publikisht.