Është mbajtur sot mbledhja e parë e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit, ku u vendosën dhe rolet që do të kenë deputetët.
Kështu sekretarja e këtij Komisioni u vendos që të jetë deputetja socialiste Klotilda Bushka dhe bashkë-relatorë Alket Hyseni dhe Halit Valteri.
Kryetari i Komisionit deklaroi se deri në mbledhjen e ardhshme dy bashkë-relatorët duhet të përgatisin një projekt rregullore dhe plan paraprak për punën e këtij komisioni.
“Qëllimi i ngritjes së tij është i njohur, unë po shfrytëzoj rastin dhe po lexoj vendimin e kuvendit të Shqipërisë: Ky komision hetimor ka për qëllim të hetojë njohjen dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e presidentit të Republikës lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete.
Ky komision ka për detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga presidenti i Republikës, të verifikojë pasoja e këtyre akteve në raport me institucionet e tjera. Në optikën e kolegëve deputetë që kanë kërkuar shkarkimin e tij konstatohet se sjellja e tij në lidhje me procedurat e ndjekura, presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën dhe kjo sipas tyre përbën shkak ligjor për pezullimin nga detyra.
Ky komision referuar saktësisht vendimit 84, për një periudhë 3 mujore do bëjë një hetim të plotë për t’i paraqitur Kuvendit një raport përfundimtar. Ky është edhe deklarimi i komisionit hetimor i përcaktuar në vendimin dhe komisioni është i detyruar t’i rrijë strikt”, tha Manja në nisje të Komisionit.
(E.K/Faxweb.al)