“Telenovela” e gjatë e kësaj vere duket e destinuar të përfundojë me kalimin e De Ligt te Juventusi. Në të vërtetë, janë episodet e fundit. Sipas “La Stampa”, Fabio Paratici do të saktësojë detajet përfundimtare dhe planifikon ta mbyllë transferimin brenda një jave.
Në shtatë ditë, nga ana tjetër, Juventusi do të largohet për turneun në Azi dhe synimi është që mbrojtësi holandez të hipë në avion me gjithë lojtarët e tjerë bardhezinj. Në fund, “tymi i bardhë” duket se do të mbërrijë, duke paguar rreth 70 milionë euro për Ajax. Ditën e djeshme u fol se “Zonja e Vjetër” e ka rritur ofertën nga 55 milionë euro në 67 të tilla, ndërsa klubi holandez synonte 75 milionë euro.
Edhe në këtë rast nuk ka pasur akord, por është gjetur një emërues i përbashkët, i rrumbullakosur te 70 milionët. Kujtojmë se marrëveshja me vetë De Ligt tashmë është arritur prej pak kohësh. Juventusi do t’i paguajë mbrojtësit një shumë prej 8 milionë euro në sezon, plus 4 milionë të tjera në formë bonusesh. Po ashtu, 11 milionë euro do të shkojnë në formë komisioni për agjentin e 19-vjeçarit, Mino Raiola.
Për më tepër, në kontratë, siç kërkohet fuqimisht nga Raiola, do të ketë një klauzolë të veçantë, që do ta lejojë De Ligt të largohet nga Juventusi për 150 milionë euro. Pas formalizimit të blerjes së De Ligt, Paratici do të përqëndrohet në aspekte të tjera të merkatos, në dalje. Shita e disa lojtarëve duket e pakthyeshme, mes tyre e Perin, Khedira dhe Higuain. Vetëm më pas, kampionët e Italisë do të mendojnë për ndonjë blerje tjetër, me emrat e Federico Chiesa dhe Mauro Icardi në krye të listës së dëshirave.