Gjykata për Krime të Rënda dëgjoi provat shkresore të Prokurorisë, për ngjarjen e Elbasanit, ku u përplas makina e Policisë përballë tregut agro-ushqimor.
Duke iu referuar relatimit të prokurorit, duket se dy provat më të forta të Krimeve të Rënda për identifikimin e autorëve, janë shenjat e gishtave të gjetura në krahun e pasagjerit në “Audin” e zi dhe një cigare puro, ku janë përfituar materiale biologjike që korrespondonin përkatësisht shenjat e gishtave të Enea Bekteshit dhe në cigaren puro është përfituar material biologjik i përputhshëm me atë të Suel Celës.
Gjatë seancës, gjykata pa edhe videon, ku dukej momenti i përplasjes se “Audit’ me makinën e drejtorit të Policisë së Elbasanit në atë kohë, Gjergji Oshafi. Duke komentuar videon, avokatët e të pandehurve pretenduan se qëllimi i drejtuesit të “Audit”, nuk ishte policia dhe se nuk ka pas një përplasje, por fërkim të dy makinave, në kushtet kur makina e policisë ikën indietro.
Ndërkohë prokurori i çështjes, lexoi një sërë provash të tjera, ndërsa seanca u shty për të parë dy video të tjera.
(E.K/Faxweb.al)