Dhjetëra automjete të forcave të rendit kanë zbarkuar në zonën e “Unazës së Re” mbrëmjen e sotme. Nuk dihet arsyeja e kësaj prezence të shtuar të policisë në zonë, ndërkohë banorët shprehen të terrorizuar nga kjo situatë.
Burime për FaxWeb.al bëjnë me dije se se kontrollet policore janë kryer në familjen e Dorjan Protoduarit dhe Gëzim Sadikaj, dy familje këto më aktivet për kauzën e Unazës së Re.
Referuar ngjarjeve të sotme, për FaxNews, Lindita Protoduari është shprehur se është e tronditur nga ky kontroll i papritur i forcave policore, të cilat sipas saj të pajisura me maska kanë hyrë në shtëpi, ndërsa nuk kanë dhënë arsye se përse po e kryenin kontrollin.
“Ishin rreth 60 efektivë me rreth 15 makina policie. Ishin me maska, erdhën për kontroll. Isha duke ushqyer mbesat e vogla kur erdhën. Iu thashë mos hajdeni brenda me maska, kam fëmijë të vegjël, mos mi terrorizoni.
Nuk na dhanë arsye se përse e kryen kontrollin. U thashë Dorjani nuk e ka thyer masën, vazhdon ende të jetë me arret shtëpie. Jam e tronditur nga e gjithë kjo, fëmijët janë të terrorizuar.”
Kujtojmë se më herët u raportua se 3 persona u ndaluan nga policia, dy prej të cilëve janë Maliq Ferati dhe Edi Ferati, ndërkohë emri i personit tjetër nuk është bërë ende i ditur.(Lexo këtu)
Po ashtu, nuk dihet se përse është bërë shoqërimi i këtyre të fundit, por nga burimet mësohet se personat në fjalë janë shoqëruar nga persona pa uniformë pak pas përfundimit të protestës së Unazës këtë të hënë, e cila zgjati një orë.
Ditën e sotme banorët ndezën edhe një zjarr në mes të rrugës, kështu që mendohet se ky mund të ketë qenë edhe preteksti i shoqërimit të tyre dhe lëvizjeve të shumta të policisë.
(B.L/FAXWEB.AL)