Policia e shtetit ka dhënë informacion zyrtar para pak minutash për arrestimin e Dilaver Shytit, Administrator i Partisë Socialiste në njësinë e Dermenasit të Bashkisë Fierit, ngjarje e cila ishte mbajtur e fshehtë. (Lexo këtu)
Sipas njoftimit të policisë dy persona janë arrestuar ditën e sotme në kuadër të masave kundër informalitetit. Personat D.Sh, 50 vjeç, banues në Darzezë dhe A.Sh, 43 vjeç, banues në Cakran janë arrestuar respektivisht për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim pa leje”.
Njoftimi i policisë:
Operacion policor kundër informalitetit, evazionit në turizëm dhe ndërtimeve pa leje.
Policia ndalon për “Shpërdorim detyre” Kryetarin e Njësisë Administrative Dërmënas dhe një shtetas tjetër për “Ndërtim pa leje”.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në kuadër të masave të mara kundër informalitetit, evazionit në turizëm, ndërtimeve të paligjshme, pas një kontrolli të ushtruar në plazhin e Darzezës, bënë ndalimin e shtetasve:
D.Sh, 50 vjeç, banues në Darzezë (Kryetar i Njësisë Administrative Dërmënas).
A.Sh, 43 vjeç, banues në Cakran.
Shtetasi D.Sh, në kundërshtim me ligjin, ka lejuar ndërtim pa leje dhe ka zënë hapsirat publike në zonën e plazhit Darzezë, duke i dhënë një kontrat qeraje me sipërfaqe 500 metra katror shtetasit A.Sh.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shpërdorim detyre” në ngarkim të shtetasit D.Sh dhe për veprën penale “Ndërtim pa leje” në ngarkim të shtetasit A.Sh.