Këshilltari i presidentit Meta Bahri Shaqiri në një dalje nga institucioni i kreut të shtetit, foli mbi rrezikun që vendi ynë të preket nga një tërmet apokaliptik.
Shaqiri u shpreh se mënyra ironike me të cilën janë përgjigjur institucionet e vendit tonë tregojnë për një nivel shumë të lartë papërgjegjshmërie që ka qeveria shqiptare.
“Mungesa e papërgjegjshmërisë institucionale për të trajtuar fatkeqësitë natyrore. Meta iu drejtua dje me letër Ramës, Braçes dhe Xhaçkës për masat për përballimin e fatkeqësive natyrore, me qëllim parandalimin e fatkeqësive. Qëllimi i kësaj kërkese ishte parandalimi në pasoja i jetës së qytetarëve.
Meta me përgjegjësi të plotë ka zgjedhur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi për të marrë masat e plota në të mirë të qytetarëve. Greqia nuk është fqinje e Zelandës së Re, por e Shqipërisë. Të marrim masa për një fatkeqësi natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti.
Vonesat dhe paaftësia e dëshmuar nga pasojat e tërmetit në Korçë, ishte dhe është e mjaftueshme që Meta të kërkojë marrjen e masave në kohë. Rama ka për detyrë t’i përgjigjet me seriozitet kërkesës së Metës. Presidenti garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave në mbrojtje të qytetarëve”, tha Shaqiri.
Më herët gjatë ditës në komunikimin që pati me gazetarët kryeministri Rama u shpreh jo me pak ironi, se Meta mund ta shtynte tërmetin duke lëshuar ndonjë dekret.
(E.K/Faxweb.al)