Arrestohet në Britanin e Madhe i shumëkërkuari Gentian Doda, i cili para 20 viteve ka vrarë 2 persona. Lajmi është konfirmuar nga ana e Policisë së Shtetit. Burimet bëjnë me dije se Gentian Doda është arrestuar para 3 muajsh.
E ndërkohë që akuzat i janë rikualifikuar duke u zbutur nga ‘Vrasje’ në ‘Plagosje të rëndë’, gjithashtu akuzohet për korrupsion pasiv dhe rryshfet.
Gentian Doda u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2012, pasi u arrestua atje për llogari të autoriteteve shqiptare. Ai akuzohej për vrasjen e Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjokës.
Familja Doda njihet si një nga familjet famëkeqe në Burrel e cila ka qënë pjesë e bandave në vitet 1997.
Gentian Doda është ekstraduar nga SHBA-ja në 12 korrik të vitit 2012, pasi ishte i akuzuar për vrasjen e dy personave. Autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Përplasjet e ashpra ndërmjet dy grupeve rivale janë shtrirë edhe në qytete të tjera deri sa në vitin 2010, në Tiranë, është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte.
Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur të rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur, aksidentalisht, Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën. Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare.
Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale. Çështja ndaj tij u shqyrtua edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi që gjykimi ndaj tij të zhvillohej sërish në gjykatën e shkallës së parë të Matit. Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Matit kërkon dënimin e tij me 20 vjet burg. Prokuroria nuk e ka akuzuar të pandehurin edhe për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”, për faktin se autoritetet amerikane e lejuan ekstradimin e tij vetëm për veprën e vrasjes.