Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit pas konstituimit të tij, tha se në zgjedhjet e 30 qershorit shqiptarët votuan për të drejtën dhe jo për të majtën.
“Kjo duhet të imponojë çdo ditë nevojën për të punuar për të gjithë pa përjashtim, si për ata që na votuan, si për ata që nuk na votuan, si për të majtët si për të djathtët. Kjo është një sfidë e madhe ku është shumë më e lehtë të biesh në gropën e vetëkënaqësisë se sa të ngrihesh në nivelin e një marrëdhënie të re. Unë ju nxis që sot të hartoni një plan të ri komunikimi me komunitetin dhe komunitetet”, tha Rama.
Kryeministri tha se, deri më sot pothuajse e gjithë barra e komunikimit ka qenë mbi supet e krybashkiakut, teksa propozoi se çdo anëtar i Këshillit duhet ta bëjë këtë gjë, teksa paralajmëroi që së shpejti do të zhvillohen takime me qytetarët në çdo njësi për të mësuar problematikat dhe shqetësimet e tyre.
“Është e papranueshme për mua dhe kështu duhet të jetë për të gjithë ju, që angazhimi i këshilltarëve të jetë vetëm pjesmarrja këtu. Është e patolerueshme po ashtu që çdo këshilltar të mos njoh metër për metër çdo rrugë në të cilën është zgjedhur apo çdo qytetar dhe familjar që jeton në zonën e tij. Ju sigurojmë pjesëmarrjen aktive të deputetëve dhe të çdo anëtari të qeverisë, përfshirë edhe mua personalisht në çdo rast kur do të keni nevojën për ndarjen e një shqetësimi apo përkrahjen ndaj familjeve të kryeqytetit”, tha kryeministri.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/724622207994905/
(F.GJ/FAXWEB.AL)