Vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 30 Qershorit, një ngjarje e bujshme bëri xhiron e mediave, ku protagonist ishte kryetari i FRESSH në Kolonjë, Pandi Cunge.
Faxweb.al raportoi në atë kohë, se Cunge ka plagosur me thikë 35-vjeçarin Ervis Këndezi, pasi ky i fundit kishte ofenduar keq në Facebook, kandidatin e PS-së për Kolonjën Erion Isain.
Ditën e sotme në mediat online qarkulloi lajmi se Cunge është emëruar ditën e djeshme Administrator i Njësisë Administrative Qendër, nga kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, i zgjedhur me 30 qershor.
I pyetur për emërimin si administrator dhe për plagosjen me thike, kryebashkiaku i ri i Kolonjës Erion Isai është shprehur se “Cunge s’duhet të ulë vrullin e punës në hapësirën e provës, që detyra kërkon”, ndërkohë që mohoi se ka pasur plagosje me thikë.
“As thikë, as plagosje, as për arsye banale, as për politikë, aq më pak për mua… apo më banale akoma, për fb, insta, snap… etj etj.
E vetmja plagosje e ndodhur në fakt, është ajo virutale, që nga gojët e shqyera të politikës përhapet nëpër gazeta dhe portale pa asnjë kujdes për të vërtetën që mund të gjendet lehtësisht në raportet e policisë.
Pandi Cunge, duhet dhe do të ndjekë me gjyq për shpifje, gjithë këtë “thertore” virtuale. Ndërsa s’duhet të ulë vrullin e punës në hapësirën e provës, që detyra kërkon”, shkruan ai.