“Latinia shqiptare”, kështu është cilësuar Soni Malaj nga një ndër mediat më të njohura italiane “Radio Musica”. Së fundmi, artistja shqiptare ka qenë e ftuara speciale në emisionin “Flow Italiano”.
Intervista është zhvilluar në mënyrë virtule nëpërmjet lidhjes direkte me video nga vendi ynë.
Soni ka folur gjatë mbi jetën dhe karrierën e saj muzikore. Ndalur te kjo e fundit, këgnëtarja tregoi se nuk do ta kishte aspak problem që vajza e saj Ana, të ndiqte rrugën e artit. E pyetur nga moderatori nëse ka ndërmend të bëjë një bashkëpunim me të voglën e saj, Soni zbuloi për herë të parë se tanimë e ka bërë.
Bëhet fjalë për këngën e saj “Te Quiero” të publikuar rreth një muaj më parë. Këngëtarja tregoi se në disa pjesë të këngës, ka bashkuar zërin e saj me të Anës.
“E kam bërë në fakt. Një pjesë e vogël tek kënga ‘Te Quiero’ që unë kam publikuar pak kohë më parë ka edhe zërin e Anës. Është ai momenti kur kapen notat e larta. Aty kam bashkuar zërin tim me atë të Anës”,u shpreh Soni.
Me siguri që pas kësaj, të gjithë do t’i riktheheni edhe një herë këngës, por këtë herë për ta shijuar paksa më ndryshe. Ndërkohë pas kësaj deklarate, ne jemi gati që një ditë të shohim një bashkëpunim të mirëfilltë mes Sonit dhe vajzës së saj 7 vjeçare.