Një person është ekzekutuar pak minuta më parë në Mirditë, duke shënuar vrasjen e dytë në vendin tonë këtë të hënë ku u vra në Fier Florian Selimi, 23-vjeç.
Burime për Fax web.al bëjnë të ditur se është ekzekutuar në qendër të Rrëshenit, Tonin Gjini,i njohur ndryshe dhe me emrin Armando Gjini, rreth 48-vjeç. Ajo që e bën dhe më të rëndë ngjarjen është fakti se Gjini ka qenë në makinë me dy fëmijët e mitur, në momentin kur është qëlluar.
Ende nuk bëhen të ditura shkaqet e ngjarjes së rëndë, ndërkohë që policia është vendin e ngjarjes dhe po punon për kapjen e autorëve.
Vrasja ka ndodhur në kryqëzimin kryesor të qytetit, në sy të kalimtarëve të shumtë, dhe ka shkaktuar panik në të gjithë Rrëshenin.
Nuk dihet ende nëse ka dëshmitarë okularë që kanë parë skenën e vrasjes, dhe mund të çonin në identifikimin e autorëve.
Sipas burimeve mësohet se shtetasit në fjalë pak muaj më parë, i është vendosur lëndë eksplozive në makinë, e cila ka shpërthyer, por nuk pati të dëmtuar në njerëz.
Viktima Tonin (Armando) Gjini sapo kishte lënë mjetin për të dërguar fëmijët në shkollë, ndërkohë që i ishte vendosur tritol në të. Ngjarja ndodhi vetëm katër ditë pasi ai kishte dalë nga burgu.
Po kush është Armando Gjini?
Armando Gjini, është i njohur për drejtësinë si pjesë e grupit të Met Kananit. 48-vjeçari u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani, dhe qendroi në burg për rreth një vit.
Vitin e kaluar në kuadër të operacionit ‘Precizioni’ Gjini u arrestua së bashku me 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan 8 ton drogë.
Met Kanani njihet nga mediat turke si “Eskobari shqiptar” për shkak të famës që ai ka marrë atje si koka e një rrjeti të madh të trafikut të lëndëve narkotike përfshirë edhe heroinë e kokainë.
Nga operacionet e zhvilluara më herët edhe në Itali, Greqi, Turqi e Shqipëri, bandës i është sekuestruar mbi 8.4 ton kanabis me vlerë tregu 10 mln euro.
Njoftimi i policisë për vrasjen e sotme:
Në qytet Rrëshen, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A.Gj. vjeç 48, banues në Rrëshen.
Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zones me qëllim kapjen e autorit.
(M.Q-E.K/Faxweb.al)