Nga Mentor Kikia
Më tërhoqën vëmendjen sot disa foto, të bëra në një familje në një fshat të Rrogozhinës. Një person, Ferdinad Saraçi, i kishte dhuruar asaj, për festën e Kurban Bajramit, një pako me ushqime. Të ndihmosh atë që është nënshtruar nga mjerimi, është një gjë e mrekullueshme. Ndaj përgëzime Saraçi për atë që keni bërë.
Por ajo që më bëri përshtypje është se për këtë akt bamirësie ai kishte hedhur në faqen e tij nja 7 fotografi, duke dëshmuar të gjithë brutalitetin e mjerimit që ka pllakosur kësaj familjeje. Cili do të ishte ndryshimi nëse ky akt bamirësie publikohej, për të përcjellë mesazhin tek të tjerët, por pa foton e njerëzve të zbathur e të drobitur?
U ndala në këtë rast pasi ky nuk është i vetmi. Fondacione dhe persona të ndryshëm bëjnë sot bamirësi. Por shpesh një “aksion” bamirësie ka më shumë kameramanë e fotogravë sesa misionarë. Fotografohen dhe filmohen ndërsa u dorëzojnë qeset me ushqime njerëzve të varfër. Fotografohen e filmohen ndërsa mbajnë në prehër fëmijë të pangrënë e të leckosur, u shtrëngojnë duart, i përqafojnë. Ata kujdesen që ushqimet të fotografohen në të gjitha këndet e mundëshme, edhe njerëzit po ashtu, që mjerimi të shpërshfaqet në të gjithë dimensionet, nga këmbët e zbathura, tek duart dhe fytyrat e papastra, tek divanët e lecksour, tavani dhe muret e rrjepura, deri tek evetmja tepsi që ndodhet në shtëpi. Dhe këto foto e video shfaqen nëpër rrjete sociale, apo edhe më keq, nëpër ekrane, në edicione lajmesh apo emisione televizive.
Përse kjo sjellje me mjerimin? Përse ky përçudim barbar ndaj atyre njerëze që i ka nënshtruar skamja? Bëjeni bamirësinë, por pa bërë spektakël me të.
Çdo të ndodhë me këta fëmijëve që kanë mbajtur bamirësit në prehër në momentin e “ceremonisë së madhe” të dorësimit të qeses me ushqime? Çfarë mund të thonë ata, kur shokët tu nxjerrin nesër nga rrjeti apo nga You Tube, videot e mjerimit të tyre këmbëzbathur?
Bullizmi është sot një problem i madh në mesin e adoleshentëve. Në këtë foto është edhe një vajzë, që sipas Z.Saraçi, është ekselente në shkollë. A do të ndjehet mirë ajo nëse dikush në klasë, për arsye xhelozie, ia kthen nësër këtë foto duke e shpërndarë tek të gjithë nxënësit e shkollës?
Ndaleni këtë show me mjerimin të dashur njerëz të mirë. Uria vërtet nuk pyet për dinjitet, por edhe të varfër, njerëzit kanë njësoj dinjitetin e tyre, ndaj duhen respektuar po njësoj.
p.s: deformimi i imazhit të dy vajzave të mitura në këtë foto është bërë prej meje, jo prej autorit.