Keidi Pasha, djali i punonjësit të Policisë Rrugore në Burrel, Arben Pasha, qe u vra me armë zjarri në Gjermani, ndërkohë që u plagos rëndë kushëriri i tij, rezulton person me precedentë të mëparshëm në vendin tonë.
Ai ka emigruar në Gjermani prej disa vitesh, ku kishte nisur dhe të shkollohej për të marrë një profesion.
20- vjeçari në Shqipëri rezulton person me precedentë, pasi në vitin 2014 është arrestuar për armëmbajtje pa leje.
Në atë kohë vetëm 15 vjeç, Keidi u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë me 3 vite 6 muaj burg. Arrestimi i tij u krye në Burrel, pas njoftimit të marrë nga Policia se një grup të rinjsh po kryente qitje me armë.
Çështja u dërgua në Gjykatën e Apelit nga Pasha me kërkesën se në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i mitur.
Në nëntor 2011, Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi vendimin, por urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë për një periudhë prej 2 vitesh.
Si ndodhi ngjarja në Gjermani
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje që kanë deponuar për hetuesit gjermanë, fillimisht ka pasur një konflikt mes disa personave që ka nisur në një lokal në pronësi të dy shqiptarëve të tjerë.
Më pas sherri u zhvendos në anën tjetër të rrugës. Keidi Pasha dhe një mik i tij u qëlluan me armë nga një makinë e paidentifikuar kur po ecnin në trotuar. Autorët u arratisën në drejtim të paditur, ndërsa kanë qenë kalimtarët të cilët njoftuan policinë. 20-vjeçari dhe miku i tij u transportuan me urgjencë në spital në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht, Keidi nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Kurse shoku i tij ndodhet në gjendje kritike.
Një dëshmitar okular i tha policisë gjermane se dëgjoi të paktën 6 të shtëna me armë zjarri. Nga burime policore mësohet se trupi i të ndjerit nuk është sjellë ende në Shqipëri, ndërsa autoritetet gjermane po kryejnë ekspertizën mjeko-ligjore. Shkaqet e vrasjes janë të paqarta. Policia gjermane është duke hetuar motivet e konfliktit që besohet se nisi fillimisht në një restorant, si dhe po punon për të identifikuar autorin/ët e vrasjes.