Gazetari Ben Andoni ishte i ftuar në stuion e lajmeve të Fax News ku foli për aktualitetin politik në Kosovë ku sapo është shpërndarë Kuvendi atje dhe ndërkohë, palët politike po bëjnë lëvizjet përkatëse për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore.
Për Haradinajn, Andoni tha se nuk ka qeverisur drejt dhe me produktivitet, ku theksoi sidomos atë që ka ndodhur me njohjet e reja dhe tërheqjen e njohjeve nga vende të ndryshme të botës.
Gazetari argumentoi se, në qeverisjen e Kosovës nga Haradinaj jo vetëm nuk ka pasur njohje të reja të Pavarësisë nga shtetet që nuk e kanë njohur ende, por ka pasur edhe disa shtete, që pavarësisht se të vogla, e kanë tërhequr njohjen e tyre.
Ndërsa për “Vetëvendosjen” e Albin Kurtit, Andoni tha se ajo nuk është më siç ka qenë, dhe për këtë sipas tij, po lufton për një koalicion parazgjedhor me LDK-në e Isa Mustafës, ndërsa PDK-në e Kadri Veselit, drejtuar më herët nga Thaçi, gazetari tha është se bjerrur nga pushteti për një kohë të gjatë që ka mbajtur.
Andoni foli në Fax News edhe për takimin e zhvilluar së fundmi mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe Sekretarit Amerikan të Shteti, Mike Pompeo ku tha: “Takimi i Vuçiçit me Pompeon tregoi se Amerika ka dhënë një shans të fundit për dialogun. Unë mendoj se masa që mori qeveria e Kosovës me taksën, ka qenë deri diku e drejtë, pasi Serbia përfitoi nga dialogu dhe lobonte kundër Kosovës. Pavarësia është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare edhe pse Serbia ishte kundër. Besoj që Amerika do të ndikojë ndoshta do të kërkojë edhe ndihmën e Rusisë, me uljen e palëve, dhe ulja e palëve ndodh me zhvillimin e zgjedhjeve”.
Duke folur për lehtësirat që Shqipëria do t’i jepte Kosovës në saj të mbledhjeve ndërqeveriatare, Andoni tha se ka qenë një premtim që faktet tregojnë se nuk është përmbushur.
“Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar 5 takime mos gaboj të përbashkëta dhe nuk kanë arritur realizimin e një plani ekonomik të përbashkët. Ndryshe nga sa kishte premtuar Shqipëria për portin e Shëngjinit, nuk ia ka dhënë ende mundësinë Kosovës të ketë një hapësirë për importin dhe eksportin e mallrave”.
Duke iu rikthyer sërish zgjedhjeve, Andoni tha se “Vetëvendosja” mund të vijë në pushtet vetëm në rast se arrin një marrëveshje me LDK-në, ndërsa theksoi se edhe nëse PDK-ja i fiton zgjedhjet, Thaçi nuk mund të rikthehet në drejtimin e qeverisë pa përmbushur afatet kushtetuese në postin e Presidentit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)