Nga Agim Xhafka
AVNIU
Ndenja në Pogradec tre ditë me Avniun. Eshtë shok i hershëm i tim eti. Afër të 90-tave,ecte pak i kerrusur në breg të gjolit. Sa e vura re u sula drejt tij,i dola para. U tremb se iu shfaqa befas. Qëndroi,hapi më shumë sytë,më vështroi për ca sekonda e qeshi.
-Po si je,mor Alajdin? Nga më gjete dhe këtu në Pogradec!
Më thirri në emrin e babait dhe më përqafoi fort. Besoi se takoi atë,jo mua. Në fakt edhe i ngjaj shumë tim eti. Jo veç nga pamja.
-Sa vite kemi pa u u parë. Si je me shendet? Si e ke Valkën? Po fëmijët? U martua Agimi yt më duket?
Pyeste për mua në isha martuar. Ai jetonte me mendje para 40 vitesh,atëhere kur i afrohej të 50-tave. Më shtrengonte shpatullat e qeshte. Ishte shumë i gëzuar. Por unë fluturoja. Nga që ka qënë shumë i afërt me babain më dukej sikur ndodhesha mes të dyve. Avniut që e kisha perballë e Alajdinit,babait ,që ishte brenda meje. Hyra në rol dhe i tregova për jetën time ,por sikur ia thoshte babai.
-Po,po. E martova Agimin. Ka dy vajza binjake. Punon në Tiranë. Vjen e na sheh çdo muaj në Korçë.
-Ashtu,ashtu,-vazhdonte Avniu.-Duket që është goxha djalë. Ka kujt t’i ngjasë,-e qeshte.
I miri Avni,nga takimi me mua mori dritë i tëri. Ecte e nuk pushonte së foluri. Deri sa pashë që iu mor fryma nga lodhja e nuk arriti të ulej. Se para iu shfaq një gocë e re që i tha pak ashpër:
-Gjysh,duhej të ishe në dhomë tani,se dielli pervëlon,është mesditë.
-Po,ja u vonova se takova shokun tim të fëmijerisë,-dhe tregoi nga unë.
Vajza vuri buzën në gaz e më tha tek veshi:
-Pleqëri hesapi,mos ia vini re.
-Jo,u kënaqa,e kam shokun e babait. Aq më mirë që më trajton si atë. Ndjehem i mallosur,-i thashë.
Avniu u largua dhe nga pas m’u duk sikur po ecte babai im. Drejt një destinacioni që veç ai e dinte.
Babain e njoha më tepër si shok. Se ai iku lart mjaft i ri. Nuk arrita ta njihja si plak. Kështu të kerrusur,me mendje pak lozonjare,me pergjigje të vonuara,me gjumëkapluar në çdo orë të ditës. Ta njihja kur donte doktor,t’i tregoja se netë pa gjumë kaloi ai për mua,por edhe unë për të. Ta merrja ndonjëherë hopa kur në shkallë nuk i bindeshin gjunjët. T’i lidhja kollaren çdo mëngjes e ta rruaja sa herë donte se pritej prej briskut nga që i dridhej dora.
Më mungon kjo pjesë e babait. Tamam si një film që njerëzit çirren e bërtasin në kinema se operatori harron një bobinë e heroi nga fëmijë na del se po u martoka!
Avniu më solli lotin në sy,dhimbjen në shpirt e ngazëllimin në grykë. Te ai pashë babain. Fisnik,dinjitoz,që harron të sotmen ,por të djeshmen,shokët i kujton në detaje. Por edhe unë babain per të shkuarën e doja,se e tanishmja jam vetë,janë niperit e mbesat. Por ai u largua pakëz si befas,pa thënë e duke më lënë një boshllëk që nuk mbushet kurrë. Ikja e tij i ngjet shkrirjes së akullnajave. Uji rreshqet e humbet në oqean. Asnjë mundësi ta mbledhësh e ta bësh prapë akull.
Babai dje ishte në Pogradec. Ndenji disa ditë mes meje e Avniut. U kënaqëm të tre,u shmallëm të tre,lotova veç unë…