Superiorja ka mbyllur javën e parë me 3 ndeshjet e luajtura në mbrëmje. Tirana ka fituar me rezultatin 3-0 ndaj Luftëtarit, Teuta ka mposhtur minimalisht Bylisin 1-0, ndërsa Skënderbeu ka ngecur në shtëpi ndaj Flamurtari 0-0.
Tirana – Luftëtari 3-0
Investimet e bardhebluve kanë dhënë rezultat që në ndeshjen e parë ndaj Luftëtarit. Ekipi i Ardian Memës ka fituar me rezultatin 3-0 ndaj miqve nga Gjirokastra. Skuadra kryeqytetase ka mbyllur llogaritë në pjesën e parë, aty ku Grent Halili ka qenë protagonisti kryesor. Armenis Kukaj ka gabuar në minutën e 30′ duke i falur topin sulmuesit Halili, ky i fundit pason për Dungën që ndëshkon ish-skuadrën e tij.
Dy minuta më vonë, Hasani fton Halilin para portierit dhe ky i fundit mposht për të dytën herë Luftëtarin. Goli i tretë shënohet nga Batha që debuton me gol. Mesfushori ktheu në gol një penallti të fituar nga Halili. Pjesa e dytë nuk dhuroi shumë, ndërsa Luftëtari është tmerrësisht shumë i dobët!
Teuta – Bylisi 1-0
Durrsakët e kanë nisur mbarë sezonin duke fituar me rezultatin 1-0 ndaj ballshiotëve. Takimi ishte i dyluftuar nga të dy kampet, por një episod vendosi takimin. Mbrojtësi Renato Arapi shënoi me kokë në pjesën e parë në minutën e 34′. Ai kërceu mbi të gjithë dhe dërgoi topin në rrjetë. Bylisi u mundua të reagojë, por sulmet e ballshiotëve u ndalën nga portieri Stivi Frashëri. 3 pikë të arta në start për skuadrën e Bledi Shkëmbit.
Skënderbeu – Flamurtari 1-0
Skënderbeu ka fituar me frymën e fundit ndaj Flamurtarit me rezultatin 1-0. Flamurtari mund të dilte me 1 pikë, por në momentet e fundit të lojës Gripshi gjeti golin në minutën e 95′. Supergol nga sulmuesi që i jep 3 pikë Skënderbeut.
Vllaznia është rikthyer me këmbën e mbarë në Superiore, pasi ka fituar me rezultatin 1-0 ndaj Laçit. Trajneri Mirsad Jonuz debuton si duhet me shkodranët që kanë arritur të fitojnë me një supergol të Hygor-it në mbyllje të pjesës së parë, ndërsa Laçi i pretendimeve të mëdha bie në Shkodër.
Pjesa e parë ishte e kujdesshme nga të dy krahët dhe skuadrat nuk rrezikuan shumë. Sherri dhe Stajila ishin thuajse spekatatorë. Atëherë kur u mendua se skuadrat do të shkonin me barazim në dhomat e zhveshjes ishte braziliani Hygor që dërgoi topin në rrjetë me një goditje nga distanca. Ai gjuajti fort me të djathtën dhe la të shtangur portierin kundërshtar. Vllaznia e mbylli në fitore pjesën e parë.
Pjesa e dytë ishte një pasqyrë tjetër me Laçin që ishte më kërkues. Kurbinasit u zhvendosën në gjysmëfushën e kuqebluve, ndërsa vendasit u mbyllën mbrapa. Laçi nuk pati shumë raste të rrezikshme, por në dy momente ku u shfaq rrezikshëm ishte portieri Sherri që reagoi mirë.
Deri në fund nuk u shënuar asnjë gol tjetër dhe Vllaznia merr 3 pikët e para me rikthimin në elitën e futbollit shqiptar!