Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi në një deklaratë për mediat ka publikuar dokumentat ku thekson se kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është dënuar në Greqi.
Bardhi publikoi dokumentin autentik, vendimin e gjykates se Janinës, për kreun e Bashkise se Vorës, Agim Kajmakun, se ka llogari të hapura me drejtësinë në vendin fqinj, për një akuze që parashikon se paku 10 vjet burg.
“Vendimi eshte i gjykatës së Janinës ne qershor 2003. Kajmaku, banues në Tiranë, eshtë arrestuar në flagrancë në Janinë më 14 janar 2004 për përdorim dhe shpërndarje karmonedhash të falsifikuara, krimi është bërë në transaksion për fidanë dhe bimë të tjera dhe ai ka përdorur identitetin Jorgo Toto. Pasi ka qëndruar në burg disa ditë e lanë në detyrim paraqitje, dhe dosja ti përcillej prokurorisë. Duhet të dënohej jo me pak se 10 vite burg. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe është urdhëruar “arrest me burg” të menjëhershëm, për falsfikim parash. Nuk është shqyrtuar vendimi i gjykatës pasi ai është arratisur në Shqipëri. Gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit deri sa të arrestohet ose ti gjendet një adresë e saktë për vendin ku ndodhet. Urdhëri i arrestit nuk është ekzekutuar pasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi. ”- tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, gjate konferences per media nga selia blu.
Çfarë thuhet në vendimin e Gjykatës së Janinës për Kajmakun
Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek.
Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi.
Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej prokurorisë dhe gjykatës.
Pasi dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto.
Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim.
Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim.
Bardhi: Masa e arrestit, e paekzekutuar. Parashikohet 10 vjet burg
Vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipër. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, përdoruesi i parave të fallsifikuara në kërkim në Greqi, në Agim Kajmaku, biznesmeni i duhur për politikën kriminale të Edi Ramës.
Sipas legjislacionit penal grek, gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit derisa ky shtetas të arrestohet ose t’i gjendet një adresë e saktë për t’i komunikuar akuzën. Sipas ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda.
Më duhet të theksoj edhe një herë, se urdhri i arrestit të gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi.
Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg. Ai ka të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi.
Të gjitha këto të dhëna provojnë se Agim Kajmaku është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.
Ndërkaq në një reagim publik, kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka mohuar akuzat duke deklaruar se nuk ka qenë i dënuar dhe dëbuar nga asnjë vend i Bashkimit Europian dhe as nga Greqia.(Lexo këtu)
(M.Q/Faxweb.al)