Një histori që nuk na ndodh ta dëgjojmë apo lexojmë shpesh si dhe e denjë për programacione televizive që kanë si tematikë bamirësinë, është publikuar përmes disa mesazheve në rrjetet sociale nga kryeministri i vendit, Edi Rama.
Por ndryshe nga sa thamë më lart, gjithë këtë ‘histori’ e mbulon misteri. Një çoban i shkruan kryeministrit se pas shtrimit të rrugës në fshatin e tij, një makinë ka kaluar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e tij dhe të fëmijëve të tij, ndërkohë që mjeti kishte përplasur delet duke dëmtuar plot 70 copë.
Me një shkrim aspak të përshtatshëm për një person me profesionin e mësuesit, siç e rrëfen qytetari, i kërkon kryeministrit identifikimin e autorit por edhe rikuperimin dëmit që sipas tij është kolosal.
Ndërsa autori që ka shkaktuar këtë dëm ndaj mësuesit çoban nga fshati Kote në Vlorë, nuk është identifikuar ende pavarësisht denoncimeve nga ana e këtij të fundit, një e mirë e ka gjetur më në fund, pasi një zotëri ‘misterioz’ ia ka kompensuar të 70-të delet duke ia dërguar në shtëpi.
Rama e ka bërë publik këtë mesazh, ku pas falenderimit që i bën fermeri, i është përgjigjur se i uronte çdo të mirë atij dhe familjes së tij, ndërsa askush nuk e ka marrë vesh se kush falenderon kë dhe për çfarë, mbase përveç kryeministrit dhe fermerit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)