Shqipëria do të përballet mbrëmjen e sotme duke nisur nga ora 20 e 45 me kombëtaren franceze të futbollit, në një sfidë që mund të fundosë shpresat për një vend në Euro 2020.
Shanset që ekipi i Rejas të marrë një rezultat pozitiv janë të pakta, e megjithatë djemtë kuqezinj kanë premtuar se do të luftojnë deri në fund për të marrë qoftë edhe një barazim.
E megjithatë nëse i hedhim një sy kuotave të basteve situata nuk është aspak premtuese. Shumë prej tyre shohin si favorite absolute Francën, fitoren e së cilës e kuoton me 1.11, barazimi kuotohet me 10, kurse fitorja e Shqipërisë mban kuotën 34.
Lidhur me këtë ndeshje gjatë ditës së djeshme edhe tekniku Reja ka dhënë mendimet e tij, ku tha se gabimet janë të patolerueshme.
“Frika? Duhet kujdes, sidomos në mesfushë dhe Griezmann është ai që katalizon çdo aksion. Nuk e lëmë dot të lirë, sepse ai shpik nga momenti në moment.
Nuk duhet mbuluar vetëm ai, por sidomos ai. Do të na duhet më shumë shpejtësi dhe agresivitet në markim. Franca ka lojtarë të mrekullueshëm”, tha mes të tjerave Reja, që do të luajë një nga përballjet më të forta, që prej marrjes së stolit të Kombëtares shqiptare.
(E.K/Faxweb.al)