Presidenti Ilir Meta ka postuar një foto nga takimi i tij me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, të cilët në fundin e vizitës në vendin tonë do të japin opinionin e tyre në lidhje me shkarkimin e tij.
Meta thotë se në rast se do të ishin respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias në të kaluarën, atëherë Shqipëria nuk do të ishte kurrë në këtë situatë institucionale.
“Kënaqësi të prisja sot një përfaqësi të Komisionit Të Venecias. Nëse do ishin respektuar rekomandimet e tyre në të kaluarën, Shqipëria kurrë nuk do të ishte në këtë situate”, shkruan Meta.
Delegacioni i Venecias që ka mbërritur në vendin tonë udhëhiqet nga Kaarlo TUORI nga Finlanda, anëtar i Komisionit të Venecias.
Antarët e tjerë janë Grainne MCMORROW nga Irlanda, Schnutz Rudolf DÜRR, kreu divizionit për Çështjet Kushtetuese si dhe Thomas MARKERT, sekretar pranë këtij Komisoni.
Takimet e tyre nisën mëngjesin e sotëm me dy përfaqësuesit e LSI-së dhe PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha, vijuan më pas me takimin me anëtarët e opozitës së re, dhe do të vijojnë më tej me takime me kryeministrin Rama dhe me ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj si dhe me drejtues të KQZ-së dhe Policisë. (E.K/Faxweb.al)