Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka bërë një deklaratë të forte mbrëmjen e sotme, teksa ka folur për Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur nga mazhoranca për të hetuar vlefshmërinë e dekreteve të tij për të rrëzuar 30 qershorin si datë zgjedhjes vendore.
Duke qenë se Meta është shprehur i kënaqur me thirrjen e përfaqësuesve të Komisionit të Venecias nga Kuvendi për të shqyrtuar e më pas dhënë një opinion mbi vlefshmërinë e dekreteve, Meta u pyet mbrëmjen e sotme në një tv.online, nëse do të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit, sikur Venecia del në përfundimin se ai ka shkelur Kushtetutën.
Kreu i Shtetit ka deklaruar hapur se do ta dorëzonte patjetër detyrën dhe ka kujtuar edhe rastet kur e ka bërë diçka të tillë më parë.
“Nëse Venecia thotë që Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, patjetër që do ta jap dorëheqjen. Unë kam dhënë dorëheqjen kur kam qenë kryeministër për një gjë që nuk kishte lidhje fare me mua.
Të thotë Komisioni i Venecias që Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri president? Kurrë në botë. Por kjo është qesharake, se thonë “ka çdekretuar”. Unë kam bërë një punë normale, kam çdekretuar dekretin që kam nxjerrë vetë. Ky është një dekret ekskluziv i Presidentit”,ka deklaruar Meta.
(F.GJ/FAXWEB.AL)