Nisja e vitit te ri shkollor, shënon një ndër hapat më të rëndësishëm në jetën e çdo nxënësi, sidomos për ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Mes emocionesh, prindrit përcjellin fëmijët e tyre duke i uruar sukses në rrugën e dijes.
Por nisja e këtij viti shkollor, në disa shkolla zhvillimi i mësimit me dy turne turne përbën problem për fëmijët, pasi lodhen më shpejt dhe nuk përqndrohen në mësim.
Në kryeqytet, pothuajse të gjithë nxënësit janë të kuruar dhe të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme mësimore, teksa i drejtohen dyerve të institucioneve arsimore në të gjithë vendin. Por vetëm 6 kilometra larg Tiranës, në fshatin Ferraj në njësinë administrative të Dajtit, shkolla 9-vjeçare e zonës është e ndarë në tre ndërtesa me një distancë të konsiderueshme nga njëra-tjetra, dhe secila prej godinave ku zhvillohet mësim është në kushte jo të mira.
Në klasa mungon sistemi i ajrimit, ka lagështirë, ndricimi dhe hapësira janë të pamjaftueshme. Një nga sallat shërben si kopësht për fëmijët e arsimit parashkollor. Me përmasa tejet te vogla, kapaciteti maksimal i saj është për rreth 20 fëmijë, ndërsa aktualisht janë të regjistruar 17 të tillë. Shqetësimet kryesore mbeten rruga e makinave që përbën një rrezik potencial për jetën e nxënësve, pasi kalon mespërmes godinave dhe fushës ku zhvillohet aktiviteti fizik, këndi sportiv pa asnjë lloj kushti, si dhe tualetet që ndodhen larg shkollës.
Për këto problematika, drejtoresha e shkollës Dorina Llalla, ka deklaruar për Fax News se i ka dërguar shkresa të vazhdueshme Bashkisë së Tiranës.
Në shkollë janë të regjistruar vetëm 170 nxënës, përfshirë edhe parashkolloret, ndërsa fshati ka një numër fëmijësh pothuajse sa dysfishi i këtij kapaciteti, rreth 350 të tillë.
(K.H/Faxweb.al)