Avokati Spartak Ngjela paralajmëroi se përmes Strukturës së Posaçme Antikorrupsion në vend do të vihet drejtësia. Në një postim në rrjetet sociale shprehet i sigurt që kjo strukturë do ta çojë deri në fund misionin për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.
Ngjela gjithashtu jep dhe paralajmërimin e fortë se të parët që do të fundosen do të jetë ish-kryeministri Sali Berisha dhe Lulzim Basha pasi i kap SPAK-u. Sipas tij, pas këtyre do të rrëzohet edhe qeveria Rama.
Analiza plotë e Ngjelës
Tani kuptohet qartë: Rama është sulmuar në Gjermani me fakte dhe me një kërkesë ultimative: “duam të shohim fillimin funksional të SPAK-ut; dhe përfundimin e reformës zgjedhore” – kjo ka qenë kërkesa gjermane, me theksimin: Sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk duam zvarritje!
Ç’tregon kjo?
l.
Rama, siç duket ka dashur sërish të fillojë lojën me Bashën, gjoja për një marrëveshje, për të krijuar zvarritje në lidhje me fillimin operacional të SPAK-ut, por në Gjermani pamë që atij iu bë një kërcënim diplomatik, por gjithsesi kërcënim. Kjo na jep të kuptuar se edhe një tjetër kërcënim duhet t’i vijë Ramës nga Uashingtoni në lidhje me SPAK-un. Dhe duhet të jetë shumë i drejtpërdrejtë, sepse është kapur loja që ai kërkon të bëjë me Bashën.
Po, ku lidhet interesi i përbashkët Rama-Basha? Është politikë e nivelit fëminor ajo që e lidh Ramën me Bashën.
Rama e di që, pa Bashën dhe Saliun përballë, duhet të largohet se nuk fiton dot. Një lider i djathtë i pakorruptuar i Partisë Demokratike, e rrëzon Ramën në tre apo katër muaj. Këtë di Rama. Por, tani ka dhe frikën se mos këtë lëvizje e bën Saliu dhe heq Bashën. Prandaj dhe është hedhur në sulm drejt Bashës. Por edhe për SPAK-un është e njëjta gjë: Rama nuk ka shumë frikë për vete, por për Saliun dhe për Bashën, të cilët janë të kapur. I ndodh e njëjta gjë: pas likuidimit të Bashës dhe Saliut nga SPAK-u, Rama rrëzohet brenda katër muajve.
Kjo është loja politike e një kaqoli si Rama, që nuk kupton dot asgjë, nuk di të bëjë asgjë, por do që të jetë me pasion patologjik, kryeministër.
ll.
Të gjithë këtë lojë të qepur me fillin e kuq të Enver Hoxhës, sigurisht që e di edhe politika amerikane, edhe politika gjermane. Prandaj kuptohet që forca Rama-Basha për të bllokuar SPAK-un me një gjoja marrëveshje dypalëshe dhe me një ndarje pushteti dypalësh PS-PD, është e dështuar. Nuk e lejon, së pari, politika amerikane, por u pa që nuk e lejon as politika gjermane.
Po, pse kërkon ta zvarrisë Rama SPAK-un pa i dalë kundër?
Ai kundër nuk i del dot SPAK-ut, sepse e godet ashpër dhe me fakte kundër tij politika e madhe perëndimore, por Rama do zvarritje, sepse, siç duket, ka shpresë te Erdogani, te Rusia dhe te Beogradi, të cilët janë rreshtuar të tre bashkë kundër politikës amerikane e gjermane në Ballkanin Perëndimor.
Por, edhe këtu Rama është i dështuar. Sepse tani ka dalë i qartë testi i dështimit Rama. Cili është ky test?
Ardhja këtu me detyrë partikolare e të dërguarit të posaçëm të politikës amerikane, Matthew Palmer, është testi i qartë i dështimit të politikës ruse në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja që, të gjithë shpresëmëdhenjtë e politikës ruse në Shqipëri, në fakt, janë të gjithë absolutisht ca shpresëhumbur të çoroditur.
Asgjë nuk mund të ndodhë. Tani PD nuk është fare në Parlament, dhe kjo e lëndon Ramën, sa herë që e mendon. Ai kuptohet se po i sheh si një mur gjigand pengues deputetët zëvendësues në Parlament, të cilët në mbi 90 përqind janë përkrahës të politikës amerikane në lidhje me Reformën në Drejtësi, dhe kjo e turbullon. Por ai është një mur i pakalueshëm për të. Dhe asgjë kundërshtuese nuk mund të ndërmarrë. Rama do të nënshtrohet pa kushte.
SPAK tani është realisht shpëtimi i shqiptarëve dhe instrumenti i krijimit të shtetit modern shqiptar.